Kryeziu: Koritja e një lideri nuk vjen vetëm për shkelje ligjore, VV me vetëdije po cenon besimin e publikut

E publikuar: 01/05/2025 15:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës.

Kryeziu në një shkrim në rrjetin social Facebook, ka thënë se koritja e një lideri nuk vjen vetëm për shkelje ligjore, pasi ajo prek edhe integritetin e reputacionin.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje me vetëdije po e cenon besimin që ia ka dhënë publiku.

“Koritja e një lideri apo subjekti politik nuk vjen vetëm për shkelje ligjore, ajo prek integritetin, reputacionin, besueshmërinë dhe legjitimitetin moral.

Në këtë fazë të zhvillimeve për konstituimin e Kuvendit, Vetëvendosje me vetëdije po e cenon besimin dhe legjitimitetin që ia dha publiku. Të njëjtën rrugë e kanë ndjekur edhe parti e liderë të tjerë më parë, e u ndëshkuan jo nga shkeljet ligjore, por nga qytetarët. Dhe siç po duket, këta nuk kanë mësuar asgjë nga ajo që shoqëria e ka treguar, se në momentin e duhur, vlerësimi bëhet dhe mbi standardet shoqërore, jo vetëm mbi ligjin” – ka shkruar ai.