Presidentja Osmani kujton Masakrën e Mejës: 376 jetë të pafajshme u morën mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë

E publikuar: 27/04/2025 12:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka kujtuar masakrën e Mejës, aty ku u vranë 376 njerëz nga regjimi i Serbisë.

Sipas Osmanit, “çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i yni për drejtësi.”

E plotë:

Sot, me zemër të rënduar, e kujtojmë Masakrën e Mejës, njërën nga plagët më të thella të Kosovës. 376 jetë të pafajshme u morën mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë, vetëm pse ishin shqiptarë.

Plagët që la pas kjo tragjedi janë ende të hapura, por dhimbja dhe vendosmëria jonë, janë bashkuar për të mos lejuar që e vërteta të harrohet.

Çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i yni për drejtësi.

Në këtë tokë të shenjtë të dhimbjes, mbjellim shpresën për një të ardhme me më shumë drejtësi dhe më shumë dinjitet.

Kujtimi për martirët e Mejës do të jetojë përjetë në zemrat tona.

Lavdi jetës dhe sakrificës së tyre!