Mungesa e kompromisit për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit ka bërë që partitë politike të shikojnë nga zgjedhjet e reja. Askush prej partive parlamentare shqiptare nuk i ka përjashtuar zgjedhjet e parakohshme si rrugë për të dalë nga kriza aktuale.
Megjithatë, përfaqësuesit e partive politike duket se kanë harruar se ky qëllim nuk mund të realizohet pa konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Njohësit e proceseve politike kanë bërë me dije se zgjedhjet e reja nuk mund të shpallen pa konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Eugen Cakolli nga KDI ka bërë me dije se zgjedhjet kalojnë përmes konstituimit të legjislaturës së nëntë.
“Pa u konstituar Kuvendi, herdokur, nuk mund të shpallen zgjedhje të parakohshme! Mbledhja konstituive e Kuvendit është thirrur. Seancat janë mbajtur dhe po mbahen çdo 48 orë. Deputetët kanë marrë pjesë dhe kanë rrëzuar me vota, katër herë, një kandidaturë për Kryetare të Kuvendit. Këto janë faktet. Kuvendi nuk konstituohet me thirrje apo mbledhje, por vetëm me zgjedhjen e Kryetarit dhe të nënkryetarëve. Afati kushtetues 30-ditor është për thirrjen dhe mbajtjen e seancës konstituive, jo për përmbylljen e konstituimit – dhe ky afat është konsumuar që më 15 prill”, ka shkruar Cakolli në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka bërë me dije se Kushtetuta e Kosovës nuk njeh rrugë për të shkua në zgjedhje pa konstituimin e Kuvendit.
“Çdo interpretim tjetër është ose keqkuptim, ose tentativë për t’i ikur dështimit politik. Zgjedhjet e reja nuk shkaktohen automatikisht nga dështimi për të zgjedhur Kryetarin. Kushtetuta nuk njeh një rrugë të tillë të shkurtër. Nëse mungon shumica, zgjedhjet mbeten opsion politik – por absolutisht jo pasojë kushtetuese. Deri atëherë, pa shumicë, nuk ka Kryetar, nuk ka Kuvend funksional dhe nuk ka as afat që e “rregullon” vetvetiu problemin. Mbi të gjitha, edhe rruga drejt zgjedhjeve – nëse palët dakordohen për to – kalon përmes konstituimit të Kuvendit”, ka vlerësuar Cakolli.
Edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar se është apsurde të mendohet të shkohet në zgjedhje pa përfundimin e seancës konstituive të legjislaturës së nëntë.
Ai ka treguar se Kushtetuta i ka përcaktuar rregullat se si mund të shkohet në zgjedhje të reja.
“Nuk mund të shkohet në zgjedhje pa u konstitu Kuvendi. Pastaj është Kushtetuta, dihet saktë në cilat raste vjen deri te shpërndarja e Kuvendit. Po me shku zgjedhje kur hala s’e ke konstitu, ky është absurd. Unë i dëgjova tu thanë nepër media, është budallallëk ajo punë, veç me mendu”, ka thënë Hasani për ATV.
Pas ndërprerjes së sotme të seancës konstituive, e cila ka filluar më 15 prill, përfaqësuesit e partive politike nuk e kanë përjashtuar opsionin e zgjedhjeve si dalje nga kriza aktuale. Ata kanë thënë se zgjedhjet e reja mund të jenë një rrugëdalje nga kriza.
Më të zëshëm në këtë drejtim kanë qenë zyrtarët e VV-së.
Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, ka thënë se opsioni i fundit janë zgjedhjet.
“Nuk është qëllimi ynë të shkojmë në zgjedhje, ai do të ishte opsioni i fundit për ne, nëse në fund të ditës, Kuvendi, deputetët refuzojnë ta konstituojnë Kuvendin, atëherë opsioni i fundit mbetet ai”, ka deklaruar Murati.
Edhe kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se janë të gatshëm të flasin për datën e zgjedhjeve.
“VV-ja e ka dhënë qartë qëndrimin e saj, ka mungesë të vullnetit që të konstituohet Kuvendi. Jemi gati të presim partitë, të flasim me to për datën e zgjedhjeve. Nëse refuzojnë ta konstituojnë Kuvendin, është e qartë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Kushtetuta parasheh duhet të jenë 61 vota për kryetarin e Kuvendit”, ka thënë Haxhiu.
Të njëjtën gjë e ka thënë edhe deputeti i VV-së, Faton Peci.
“Dihet që ose i themelojmë institucionet, ose e bëjmë Kuvendin, e themelojmë ne qeverinë, ose shkojmë në zgjedhje. Hatërmbetja me kandidaten për kryetare munet me shku më gjatë, ama apet besoj që do të ketë reflektim”, është shprehur Peci.


















