Rizvanolli në diskutimin e OEGJK-së: Do të përkrahim bizneset që dalin në treg të hapur

E publikuar: 26/03/2025 20:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) mbajti diskutim tw hapur mblodhi kryesues të bizneseve nga sektorë të ndryshëm, dhe institucioneve të vendit për të shqyrtuar mundësitë, implikimet, dhe ndryshimet potenciale që sjellë kalimi i Kosovës në tregun e lirë të energjisë.

Sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), nga 1 Qershori 2025, Kosova do të kalojë në tregun e hapur të energjisë. Ky vendim detyron kompanitë me mbi 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro të blejnë energji nga tregu i lirë. Si rrjedhojë, bizneset kanë shprehur shqetësime për rritjen e kostove të prodhimit dhe ndikimin në konkurrueshmërinë e tyre.

Ky diskutim shërbeu si platformë për të analizuar efektet dhe rezultatet e këtij tranzicioni, duke ofruar një kornizë më të qartë dhe të detajuar në lidhje me ndryshimet, shtresat të cilat preken nga këto ndryshime, si dhe përgaditja adekuate e bizneseve me hapa konkret.

“Ngritja e mundshme e çmimeve të energjisë, ndikimi në konsumatorë, dhe mundësitë për negocimin e kontratave me furnizuesit e licencuar (përveç KESCO)—me theks të veçantë në bizneset prodhuese dhe sektorin e shërbimeve—qenë vetëm disa nga sfidat e shqyrtuara. Rrjedhimisht, u theksua edhe nevoja për mbështetje nga institucionet qendrore dhe lokale për bizneset e prekura nga ky ndryshim.

Si zgjidhje dhe hapa të domosdoshëm për qëndrueshmëri ekonomike, u konsideruan investimi në burime alternative dhe negocimi i kontratave afatgjata me furnizues për të siguruar stabilitetin e çmimeve si dhe uljen e varësisë nga tregu”, thuhet në njoftim.

Ministrja Rizvanolli tha se tashmë janë në proces të një skeme mbështetëse për bizneset që do të dalin në treg të hapur, e që do të jetë në përkrahjen e tyre për të investuar në efiçiencë dhe burime të ripërtëritshme për të ulur konsumin e energjisë.

Paneli i diskutimit përfshiu Ymer Fejzullahun, Kryesues i Bordit të ZRRE, dhe Agron Demin nga Atlas Institute, ndërkaq diskutimi u moderua nga Uran Haxha, gazetar i specializuar në fushën e energjisë.

OEGJK zotohet se në vazhdimësi do të mbështesë bizneset, duke ofruar informacione dhe platforma të tilla diskutimi mbi tranzicionin energjetik.