Kurti mburret se kanë arritur “rezultate të jashtëzakonshme” për 4 vjet qeverisje

E publikuar: 26/03/2025 11:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e tij për katër vjet mandat “ka arritur rezultate të jashtëzakonshme”.

Kurti ka përmendur ballafaqimin me pandeminë, krizën e energjisë dhe inflacionit, liberalizimin e vizave, investimet në shëndetësi e në mbrojtje, faturimin e rrymës në veri e mbylljen e strukturave ilegale.

Kurti ka thënë se varfëria në Kosovë është ulur nga 25.5 përqind në 2021 kur erdhën në Qeveri, në në 19.2 përqind në 2024.

Ai ka  përmendur edhe opozitën duke thënë se kanë arritur këto rezultate pavarësisht “pengesave dhe vonesave dëshpëruese me ankesa të opozitarëve në Kushtetuese”

“Sot katër vjet më parë. Qeveria e jonë e mbajti mbledhjen e saj të punës aso kohe. Në gjithsej 254 mbledhje prej atëherë kemi marrë 2 mijë e 257 vendimi, gjithmonë në të mirë të mirëqenies së qytetarëve, zhvillimit ekonomik e reformave të nevojshme për progres e mbrojtje të interesit shtetëror e publik.

Në ballafaqim me pandeminë,  përballë krizave të energjisë dhe inflacionit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, përkundër pengesave dhe vonesave dëshpëruese me ankesa të opozitarëve në Gjykatën Kushtetuese që bllokuan shumë gjëra, përfshirë atë për çmimet tavan në produktet bazike,  e pavarësisht sulmeve paramilitare dhe terroriste e përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për destabilizim dhe përmbi zhurmën e madhe të debateve televizive të mbrëmjes, Qeveria jonë ka arritur rezultate të jashtëzakonshme.

Unë po i rendis disa nga to: liberalizimi i vizave, në Davos kemi nënshkruar marrëveshje tregtare për mallra dhe shërbime, shëndetësia puublike në Kosovë është bërë më e mirë dhe më e lirë, shumicën prej klinikave i kemi transformuar, në mandatin që na pret e ne mezi e presim do të vazhdojmë me investime spital për spital. Për herë të parë në katër komunat në veri po paguhet rryma, ka filluar të faturohet edhe tatimi në pronë për herë të parë, tabela ilegale dhe patentë shoferë ilegalë nuk ka më, strukturat ilegale janë mbyllur. Për herë të parë kemi pas një kohe të gjatë rritje të pensioneve, nënat lehona për herë të parë kanë marrë shtesta nga shteti, për fëmijët i kemi dyfishuar e trefishuar shtesat. Tri herë i kemi rritur pagat në sektorin publik, kurse pagën minimale dy herë, në mandatin tjetër do ta rrisim përsëri në 500 euro. Varfëria është ulur mga 25.5 përqind në 2021 kur ne e morëm qeverisjen në 19.2 përqind në 2024, sipas Bankës Botërore e papunësia është ulur”, tha Kurti.