Syla: Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, shtyllë e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës

E publikuar: 21/03/2025 19:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendësministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Shemsi Syla, vizitoi sot Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) në Ferizaj, ku u mirëprit nga komandanti, gjeneral brigade Jeton Dreshaj. Gjatë vizitës, Syla u njoftua nga afër me procesin e trajnimit të rekrutëve të rinj dhe ecurinë e aktiviteteve në këtë institucion. Komandanti Dreshaj theksoi disiplinën dhe përkushtimin e gjeneratës së re të rekrutëve, duke shprehur kënaqësinë për gatishmërinë e tyre për t’u bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe kontribuar në mbrojtjen e vendit.

Zëvendësministri Syla vlerësoi punën e palodhur të komandantit Dreshaj dhe stafit të KDS-së, të cilët po përgatisin kuadro të reja për ushtrinë e Kosovës. Ai theksoi rëndësinë e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes si një shtyllë të fortë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe theksoi se investimet në këtë institucion duhet të vazhdojnë.

Syla përfundoi duke uruar suksese rekrutëve të rinj në këtë rrugëtim të rëndësishëm dhe duke vlerësuar rritjen dhe zhvillimin e vazhdueshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.