
Njësia Speciale është duke kryer bastisje në shtëpinë e kryeshefit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi pas dyshimeve për implikim në një kurdisje të një tenderi të Ndërmarrjes.
Një ditë më parë u raportua se ndaj Krasniqit është ngritur edhe kallëzim penal për ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik lidhur me një tender të Ndërmarrjes.
Në fillim të muajit në disa audio-incizime që u publikuan, dëgjohej kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, teksa flet për negocim kontrate dhe konfirmon përfshirjen e tij në kontaktimin e bizneseve që do të merreshin me servisimin e makinave të Ndërmarrjes, si dhe dëgjohet duke thënë se do të zgjedhë kompaninë për të nënshkruar kontratën, për një tender për servisimin e veturave.
Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, në gusht të vitit të kaluar ishte arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.
Ai ishte kapur nga autoritetet bullgare me t’u futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut.
Kjo pasi rezultoi se kërkohej ndërkombëtarisht nga Italia për trafikimin e njerëzve.
Hasan Krasniqi në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021 ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale të Gjakovës, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e saj.
Në janar të vitit 2022, ai ishte zgjedhur kryeshef ekzekutiv në KRU “Gjakova”.