Nuk ndalet Sami Kurteshi, shpërthen në fyerje e akuza edhe ndaj AGK-së

E publikuar: 13/03/2025 08:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sami Kurteshi i Lëvizjes Vetëvendosje, pas gjuhës skandaloze ndaj gazetarëve, ka shpërthyer në fyerje dhe akuza edhe ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Ai e ka quajtur AGK-në “Aleancë të Grupeve Kriminale”.

Reagimi i tij erdhi pasi AGK dënoi ashpër fjalorin e tij të përdorur të mërkurën, duke e cilësuar si kërcënues dhe nxitës të urrejtjes.

“Që moti është shndërruar në Aleancë të Grupeve Kriminale (AGK). Viktimizimi i kriminelëve të mbështjellur me velon e “gazetarit”, në mesin e tyre të vrasësve me pagesë të dinjitetit njerëzor, është “lot krokodili”. Kriminelët vrastarë të llojit e sojit të tillë, duke u frikësuar nga hija e tyre e përbindëshme vrastare që shohin në pasqyren mëngjesore, rrezikimin e sojit të tyre e pasqyrojnë te të tjerët. Qëllim dhe shpërfaqje e neveritshme, e pështirë kutërbuese”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tij.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK)  ditën e djeshme ka dënuar gjuhën e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, i cili fyer gazetarët e pranishëm në Qendrën Komunale të Numërimit, të mërkurën, duke u thënë “qen të mediave” dhe “media kriminale të vrasësve me pagesë”.

AGK-ja e konsderoi këtë gjuhë si të papranueshme dhe të rrezikshme.