“Vrasës me pagesë”, Analistët: Diskursi i Kurtit – Kjo flet për gjendjen e tij, VV pajtohet me gjuhën e Kurteshit, dhunë verbale

E publikuar: 12/03/2025 22:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në emisionin Pressing në T7 po diskutohet për gjuhën e përdorur nga Sami Kurteshi, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili në QNR i quajti gazetarët “media kriminale të vrasësve me pagesë”.

Analisti Blerim Latifi thotë se gjuha e tij më shumë flet për karakterin e Kurteshit, sesa për atë të cilit i adresohej ajo gjuhë.

Ai thotë se Kurteshi nuk mund ta frenojë vetën, dhe se vazhdimisht është i mllefosur me secilin që mendon ndryshe prej tij.

“Nuk mendoj që e ka mëndu me dhonë një deklaratë të tillë e me dal në media. Kjo është një gjuhë e egër, që flet më shumë për karakterin e tij, sesa për atë cilin i adresohej ajo gjuhë. Flet për Samiun, një njeri i cili nuk mundet me frenu veten, që është i mllefosur me secilin që mendon ndryshe prej tij. Kjo është patologji e gjuhës, që ka të bëjë me personalitetin e tij. Vijnë gazetarët, përpiqen me marrë një informacion dhe ai përgjigjet në mënyrën më brutale të mundshme. Kjo flet për gjendjen e tij, për karakterin e tij”, tha Latifi.

Në emision u diskutua edhe se si askush nga VV’ja nuk reagoi për këtë gjuhë të përdorur nga Kurteshi, e që për profesorin Dukagjin Gorani i bie që VV’ja pajtohet me këtë gjuhë.

“Mendoj që pajtohen. Një pjesë e madhe e shoqnisë pajtohen”, tha Gorani.

Tutje, Latifi tha se kjo gjuhë e përdorur është dhunë e tmerrshme verbale.

“Definitvisht është shqetësuese se edhe një etikë minimale e shërbimit publik të zyrtarëve publik, që deri vonë ka ekzistu tanimë është zhduk. Tash secili mund të flasë e të akuzojë e të thotë gjithçka e nuk merr kurrfarë përgjegjësie. Pra është një dhunë verbale e tmerrshme”, tha ai.