Rezultatet e zgjedhjeve, Osmani takohet me Radoniqin – KQZ në pritje të raportit për mosfunksionimin e platformës

E publikuar: 13/02/2025 10:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas kthimit nga Parisi, Presidentja Vjosa Osmani është takuar sot me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, për të folur lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ku ka theksuar rëndësinë e angazhimit të plotë për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të këtij procesi, shkruan InfoSot.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se Radoniqi e ka njoftuar Osmanin se KQZ’ja është duke punuar për të garantuar që çdo votë e dhënë për partitë politike të konfirmohet edhe gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve.

“Sipas kreut të KQZ-së, ky proces po realizohet me kujdes të shtuar për të siguruar përputhjen e plotë ndërmjet votave të regjistruara në sistem dhe atyre që ndodhen në kutitë e votimit”, thuhet në njoftim.

Radoniqi gjatë këtij takimi ka bërë me dije se se KQZ-ja  është në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë mbi problemet në platformën e raportimit të rezultateve.

“Ky raport do të ndihmojë në vlerësimin dhe adresimin e çështjeve të evidentuara, duke siguruar transparencë të plotë mbi arsyet që kanë çuar te ky problem”, thuhet në njoftim.

Në fund të njoftimit, Presidenca ka theksuar se që nga dita e zgjedhjeve, Presidentja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Kryetarin Radoniqi si dhe institucionet përkatëse të sigurisë dhe ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe për të garantuar respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve duke rikonfirmuar çdo votë edhe nëpërmjet numërimit manual, përveç atij të bërë në sistemin elektronik.

“Në takim, Presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucional për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të vetë votës së qytetarëve”, përfundon njoftimi.