Presidenti i Internacionales Socialiste dhe Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka uruar Albin Kurtin për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në një letër, Sánchez ka thënë se ky rezultat është një dëshmi e besimit dhe mbështetjes së popullit të Kosovës për udhëheqjen dhe vizionin e Kurtit.
“I nderuar Kryeministër Kurti, në emër të Internacionales Socialiste, dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të sinqerta juve dhe Lëvizjes Vetëvendosje për fitoren tuaj të fundit zgjedhore. Ky rezultat është një dëshmi e besimit dhe mbështetjes që populli i Kosovës ka në udhëheqjen dhe vizionin tuaj për të ardhmen”.
Ai ka shprehur mbështetje për forcimin e demokracisë, drejtësisë sociale dhe progresit ekonomik në Kosovë, duke uruar sukses në formimin e qeverisë së re.
“Ndërsa vijoni punën tuaj për forcimin e demokracisë, drejtësisë sociale dhe progresit ekonomik, ju uroj çdo sukses dhe shpresoj që së shpejti të mund të formoni zyrtarisht qeverinë tuaj”.
“Internacionalja Socialiste mbetet e përkushtuar në mbështetjen e Kosovës dhe pret me kënaqësi bashkëpunimin e vazhdueshëm”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Sánchez, të publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

















