Mbahet seanca ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve në rastin e vr*sjes së Liridona Ademajt

E publikuar: 31/01/2025 08:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca në çështjen penale ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Kjo pasi seanca e kaluar ishte shtyrë me kërkesën e mbrojtëseve, me arsyetimin se ata nuk kanë pranuar shkresat e lëndës dhe nuk kishte kushte për mbajtjen e seancës.

Në seancën që pritet të fillojë në ora 11:00, katër të akuzuarve do t’u lexohet aktakuza dhe do të japin deklarata e tyre.

Sjellja e të akuzuarve në gjykatë në seancën e së hënës ishte nën masa të rrepta sigurie, me duar e këmbë të lidhura, dhe prania e policëve ishte e madhe, si jashtë Gjykatës kur të akuzuarit mbërritën, e po ashtu edhe brenda në sallë.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ngriti aktakuzë me 15 janar lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ndaj ish-bashkëshortit të saj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës dhe Tomë Dedajt.

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, përmendi si një nga motivet për këtë vrasje marrëdhëniet jo të mira në çift mes Liridonës dhe ish-bashkëshortit të saj, Naim Murselit, gjatë kohës që jetonin në Suedi, që tha se kanë shkuar deri tek problemet pasurore.

Në konferencën për media të javës së kaluar, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi tha se presin nga gjykata dënim kapital ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023, në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpinë e saj me bashkëshortin dhe dy fëmijët.