Dy shqiptarë u ndaluan dhe u dëbuan nga Beogradi, Shqipëria i kërkon llogari Serbisë: Rishikoni vendimin

E publikuar: 24/01/2025 08:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas lajmit se dy shqiptarë janë shpallur non grata nga Serbia, të cilët ishin atje për të marrë pjesë në një seminar. Në një reagim, Ministria e Jashtme bën me dije se ka thirrur në takim ambasadorin e Republikës së Serbisë, Slobodan Vukçeviq dhe i ka shprehur shqetësimin mbi këtë rast.

Ministria thotë se ka kërkuar që autoritetet serbe të rishikojnë këtë vendim dhe të mos përsëriten ngjarje të tilla në të ardhmen.

“Sot, më 23 janar 2025, u thirr në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme Ambasadori i Republikës së Serbisë, z. Slobodan Vukçević. Gjatë takimit u transmetua keqardhja dhe shqetësimi serioz për ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë marrë pjesë në një seminar në Beograd.

Ky veprim nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe ka impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë. MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra. U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada Shqiptare në Beograd”, thuhet në reagim.