Në ditët e fundit, kemi parë sulme të paarsyeshme dhe të organizuara kundër korporatave të mëdha si Devolli dhe INTEREX, kompani që kanë dëshmuar se janë shtylla të forta të ekonomisë sonë. INTEREX, nën udhëheqjen e Shaip Mikullovcit, është një shembull i shkëlqyer i ndërmarrësisë së suksesshme në Kosovë.
Kjo kompani ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme përmes krijimit të vendeve të punës, mbështetjes së prodhuesve vendorë dhe pagesës së tatimeve që mbajnë gjallë institucionet tona. Sulmet ndaj këtyre kompanive nuk janë të rastësishme. Ato synojnë të dobësojnë sektorin privat dhe të gjunjëzojnë ekonominë kosovare.
Kjo strategji e dëmshme vjen në një kohë kur bizneset tona po tregojnë se mund të konkurrojnë me brendet më të mëdha në rajon dhe Evropë, duke promovuar imazhin e Kosovës si një vend i qëndrueshëm dhe me potencial të jashtëzakonshëm. Në Kosovë, sektori privat ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol vendimtar në ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik. Bizneset janë shtylla e ekonomisë sonë, duke krijuar vende pune, duke kontribuar në buxhetin e shtetit përmes tatimeve, dhe duke ndihmuar në forcimin e pavarësisë ekonomike të vendit. Megjithatë, në vend që të mbështeten, ato shpesh goditen nga institucionet dhe shoqëria, duke përçarë komunitetin dhe duke dëmtuar themelet e një ekonomie të shëndetshme.
Bizneset nuk janë vetëm pronë e individëve apo familjeve që i udhëheqin; ato janë pasuri e përbashkët e shoqërisë. Përmes punësimit dhe kontributit fiskal, ato mbështesin funksionimin e shtetit dhe sigurojnë mirëqenien e mijëra qytetarëve. Sidoqoftë, në diskursin publik, shpesh dëgjojmë fjalë si “oligarkë” për të përshkruar bizneset e suksesshme, një qasje që jo vetëm që është e padrejtë, por edhe shkatërruese për zhvillimin ekonomik të vendit. Është e rëndësishme të theksohet edhe një herë se ndërmarrësit e Kosovës janë “heronjtë e pasluftës.” Me përkushtimin dhe punën e tyre, ata kanë arritur të ndërtojnë biznese që janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë, brenda dhe jashtë Kosovës.
Familja Mikullovci është një shembull i ndershmërisë, suksesit dhe traditës ndërbrezore. Shaip Mikullovci dhe familja e tij kanë dëshmuar se përmes punës së palodhshme mund të arrihet suksesi, duke kontribuar në ekonominë kombëtare dhe duke forcuar imazhin e Kosovës si një vend që i mbështet bizneset e veta. Nëse nuk mund të mbështesim bizneset kosovare, atëherë të paktën të mos i godasim.
Çdo goditje ndaj sektorit privat është një goditje ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. Institucionet duhet të krijojnë një mjedis më të mirë për biznes, duke ofruar mbështetje konkrete dhe duke promovuar një klimë bashkëpunimi. Shoqëria duhet të jetë e vetëdijshme se suksesi i këtyre kompanive është një sukses i përbashkët. Si shoqëri duhet t’i japim fund kësaj qasjeje shkatërruese ndaj sektorit privat. Bizneset janë një pasuri kombëtare që duhet mbrojtur dhe promovuar. Vetëm përmes një bashkëpunimi të sinqertë mes institucioneve, shoqërisë dhe bizneseve mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për Kosovën.