Në nëntë palë zgjedhjet e mbajtura në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë më 2008, kanë votuar më pak se 50 për qind e gjithsej votuesve të regjistruar.
Por, jo të gjitha grupet – komunitetet etnike, gjinitë e grup-moshat – janë paraqitur në vendvotime në të njëjtën përqindje.
Të dhënat e ndara për gjini tregojnë se burrat votojnë në përqindje më të lartë se gratë.
Ndërkohë, janë të rinjtë ata që në ditën e zgjedhjeve drejtohen te vendvotimet në përqindjen më të lartë.
Të dhëna të ngjashme janë të qasshme edhe për votuesit e shumë prej vendeve të zhvilluara perëndimore.
Radio Evropa e Lirë pyeti Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë nëse të dhëna të tilla do të mbledhen për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që do të mbahen më 9 shkurt, por nuk mori përgjigje.
Kelly Dittmar, nga Qendra amerikane për Gratë dhe Politikë, tregon se, në SHBA, këto të dhëna kanë qenë të qasshme për publikun që nga viti 1980 dhe kanë luajtur rol tejet të rëndësishëm.
“Në punën tonë, shpesh flasim për vlerën e të dhënave në përcaktimin e një problemi. Dhe, pasi ta kesh përcaktuar problemin, mund të fillosh të kërkosh zgjidhje”, thotë Dittmar për Radion Evropa e Lirë.
Ajo tregon se, në SHBA, kjo gjë ka çuar në ndryshime konkrete, si rritja e presionit mbi partitë për të nominuar gra në pozita udhëheqëse dhe adresimi i politikave që pasqyrojnë përvojat e jetuara të grave.
Përmes këtyre të dhënave, institucionet dhe shoqëria civile mund të analizojë se komunitete nënvotojnë dhe kështu mund të marrin iniciativa për të nxitur pjesëmarrje më të madhe politike të tyre, thotë Dittmar.
Megjithatë, ajo thekson se shpesh ka arsye për mungesën e këtyre të dhënave.
“Nëse të dhënat zbulojnë një hendek gjinor, por ka frikë se potenciali i grave vjen me një ideologji dhe parti specifike, atëherë mund t’i frikësohen definimit të problemit”, thotë Dittmar.
“Në anën tjetër, nëse gratë votojnë në shkallë të lartë, mund të ketë dëshirë të mos fuqizohet kjo gjë në shoqëritë ku burrat tentojnë ta parandalojnë një lloj uniteti në mesin e grave”, shton ajo.
Për këto dy arsye, beson Dittmar, “absolutisht që mund të ketë njerëz në fuqi, veçanërisht burra, që nuk duan që këto të dhëna të bëhen të ditura”.
Në Kosovë, të dhënat e tilla nuk publikohen nga shumica e institucioneve publike. Ernera Dushica nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP thotë se të dhënat e tilla nganjëherë nuk publikohen as kur ato grumbullohen.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ky institut publikoi një raport, ku tregohet se si institucionet publike në Kosovë nuk i përmbushin kriteret për publikim të të dhënave të ndara gjinore.
“Mungesa e të dhënave të detajuara nuk është vetëm një problem teknik, është një pengesë strategjike për zhvillimin e politikave efektive. Kur nuk merren parasysh të dhënat, nuk mund të krijohen politika që i adresojnë nevojat e grupeve të ndryshme shoqërore”, thotë Dushica.
E, si mund të përdoren të dhënat konkretisht?
Dushica merr një shembull: Të dhënat e regjistrimit të vitit të kaluar të popullsisë në Kosovë tregojnë se në disa komuna, si në Kamenicë, mosha mesatare është më e lartë se mesatarja në gjithë vendin.
Sipas Dushicës, duke u bazuar në këto të dhëna, agjenda në këto komuna duhet të ndryshojë, duke u larguar nga politikat me fokus te të rinjtë.
“Më mirë është që të sigurohet se shërbimet sociale janë më të qasshme për banorët e asaj zone. Nuk mund të jetë fokusi te politikat për të rinjtë, kur popullsinë e ke më të moshuar”, thotë Dushica.
Dushica beson se bazimi i politikave në të dhëna të tilla, do të ndihmonte në synimin që politikat t’i reflektojnë nevojat e të gjithë qytetarëve.
Për ta arritur këtë, ajo vlerëson se hapi i parë duhet të jetë publikimi i të dhënave që grumbullohen nga institucionet, por nuk ndahen.
“Ne kemi hasur në një përgjigje që për këtë duhet resurse, por nuk është ashtu. Ne veçse kemi shumë të dhëna. Por, është kulturë institucionale që nuk e prioritizon këtë aspekt”, thotë ajo.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, në Kosovë ishin mbi 1.8 milion votues të regjistruar. Por, në fund,