PZAP vazhdon t’i gjobisë partitë që e kanë shkelur Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme

E publikuar: 21/01/2025 17:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka vazhduar t’i gjobisë partitë politike që i kanë shkelur dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.

PZAP-ja, e ka gjobitur sërish Lëvizjen Vetëvendosje me 3 mijë e 500 euro, për gjuhën fyese të kryetarit të saj, Albin Kurtit, ndaj akronimit të LDK-së në Lydykyhi si dhe “lodhja dokrratike e Kosovës”.

LVV-ja, ka marrë edhe një dënim tjetër, pasi kandidati për deputet Raif Çavolli, e kishte vendosur posterin e tij në pronën publike, konkretisht në hapësirat e stadiumit “Shahin Haxhiislami” në Pejë.

Paneli Zgjedhor, të hënën më 20 janar, i ka publikuar vendimet më të reja.

Me 4 mijë euro është gjobitur edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Kjo për shkak të një videoje të publikuar nga kandidatja për deputete e këtij subjekti, të cilën e kishte realizuar brenda hapësirës së Kuvendit, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet.

Njejtë edhe pasi kandidatja tjetër Ariana Musliu-Shoshi e kishte postuar një video me tekst shoqërues, të realizuar në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Poashtu njësoj edhe pse kandidati për deputet Pleurat Sejdiu, momentalisht kryetar i Odës së Mjekëve ka realizuar një video brenda hapësirave të OM-së dhe e ka postuar në Facebook.

Me 3 mijë e 500 euro u dënua edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, thuhet se kandidatja e këtij subjekti Doruntinë Maloku, e kishte vendosur posterin në hapësirat publike.

PZAP-ja nuk e ndali dorën me kaq.

Një gjobë ia dha edhe koalicionit AAK, Nisma, Konservatorët, E-30 dhe Lista Ideali, transmeton Klankosova.tv

Ky koalicion u gjobit me 3 mijë e 500 euro, konkretisht kandidati i saj Nuredin Lushtaku, për vendosjen e posterit në hapësirën publike, afër Shkollës Fillore “Shaban Jashari” në Skenderaj.