Fushata e partive politike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ka filluar zyrtarisht më 11 janar, fushatë në të cilën subjektet i shpalosin projektet dhe premtimet e tyre karshi qytetarëve.
Megjithatë, kjo fushatë po përcillet me gjuhë dhe retorike të rrezikshme, e shpesh ofenduese ndaj partive politike mes vete.
Për këtë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Prapashtesa ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 125 mijë eurove ndaj subjekteve politike për shkelje të rregullave zgjedhore.
Kështu konfirmuan nga PZAP për Lajmi, të cilët thanë se gjobat janë shqiptuar për një sërë rastesh që janë shqyrtuar dhe për të cilat vendimet gjenden në web-faqen zyrtare të PZAP-it.
“Rastet e përfshijnë: Anr.27/2025, Anr.28/2025, Anr.30/2025, Anr.32/2025, Anr.34/2025, Anr.35/2025, Anr.37/2025, Anr.48/2025, Anr.49/2025, Anr.50/2025, dhe të tjera deri në Anr.69/2025”, tha PZAP për Lajmi.net, teksa këto raste janë vendosur te fusha “Rasti i Ankesës” pastaj te “Statusi i rastit” në web-faqe të këtij institucioni.
Në lidhje me gjuhën e përdorur të subjekteve politike për zgjedhjet e 9 shkurtit, ditë më parë pati njoftuar edhe Demokracia në Veprim.
Në një konferencë për media në javën e kaluar, Eugen Zekolli nga DnV ishte shprehur se ka pasur përkeqësim të gjuhës së ashpër të përdorur në fushatë.
“Këtë javë kemi pasur ashpërsim e përkeqësim të gjuhës së përdorur në fushatë, me plotë 25 aktivitete gjatë monitorimit të së cilave janë raportuar raste të përdorimit të gjuhës së nxitjes apo urrejtjes, kryesisht mbi baza politike”, ishte shprehur të shtunën Zekolli.
Kujtojmë se zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 9 shkurt 2025, ku në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur.