Blakaj i AAK-së: Diaspora s’do të jetë e njëjta si e pesë viteve më parë

E publikuar: 17/01/2025 22:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ukë Blakaj, ka thënë se diaspora nuk do të jetë e njëjtë sikur në zgjedhjet e kaluara parlamentare.

Blakaj, që gjithashtu jeton në diasporë, në “Zgjedhjet në Kohë” të premten u shpreh se beson se kësaj radhe, diaspora do të votojë të gjitha partitë.

“Së pari dua të them se diaspora është e të gjithëve. Diaspora nuk mundet të jetë vetëm në një orientim, qysh është thënë edhe më herët. Besoj fuqishëm që do të votojnë edhe Aleancën, edhe partitë e tjera. Nuk e shoh që kësaj radhe diaspora qëndron ashtu qysh kanë qëndruar para pesë vjetëve”, ka thënë ai.

Blakaj ka pasur kritika për Lëvizjen Vetëvendosje, të cilën e akuzoi se nuk e ka mbajtur asnjë premtim për diasporën.

“Përpara nuk kam qenë në politikë, kam qenë i kyçur në shoqata të ndryshme, mirëpo ajo që më ka shtyrë të hy në politikë është mosrealizimi i premtimeve në disa fusha, sidomos atyre që na kanë prekur neve si biznese për të investuar në Kosovë. Plani ka qenë që investimet të orientohen në Kosovë, por kjo s’ka ndodhur. Megjithatë ato premtime, nuk janë realizuar. Jemi anashkaluar si shoqëri që jetojmë atje, janë anashkaluar edhe ata të gjithë që e kanë mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje”, u shpreh Blakaj.