Ministria e Punëve të Jashtme të Francës në një deklaratë të lëshuar sot i ka dënuar aksionin e së mërkurës që rezultoi me mbylljen e strukturave paralele në dhjetë komuna të vendit.
Franca e ka cilësuar këtë si veprim të njëanshëm duke potencuar se rrezikon heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës si dhe rrezikon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë, në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja.
Në fund, Franca bën thirrje për zbatim të obligimeve nga marrëveshje e Brukselit dhe ajo e Ohrit.
“Franca shpreh keqardhjen për mbylljen e njëanshme nga qeveria e Kosovës më 15 janar të një numri të madh të strukturave administrative serbe në Kosovë, vendim i cili do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme të popullatës serbe të Kosovës. Kjo rrezikon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut nën patronazhin e Bashkimit Evropian.
Ky veprim i njëanshëm rrezikon perspektivat e heqjes së masave kufizuese ndaj Kosovës. Franca bën thirrje për respektimin e angazhimeve të marra nga palët për të përparuar në zbatimin e marrëveshjes Bruksel-Ohër”, thuhet në deklaratën e lëshuar sot nga MPJD e Francës.
Gatë një operacioni policor të mërkurën janë mbyllur komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyre tatimore paralele.
Aksioni për mbylljen e komunave paralele është kryer në dhjetë komuna të vendit. Ai u kritikua nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe ambasadat tjera të akredituara në vend.