Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të enjten në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte Gavrilo Milosavleviq, ish-deputeti Nait Hasani, në cilësinë e dëshmitarit ka rrëfyer për torturat e përjetuara në burgun e Dubravës.
Në këtë rast, Gavrilo Milosavleviq në cilësinë e gardianit në burgun e Dubravës po akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Hasani, i cili dëshminë në këtë rast e ka nisur më 4 nëntor 2024, tha se të burgosurit kanë qenë të bombarduar, të plagosur e të vrarë dhe se kufomat ishin të shtrirë në fushën e sportit.
“Mua më kanë torturuar në forma të ndryshme duke më fyer me nanë, babë, grua e motër, për atë që ne kemi bërë kundër Serbisë”, ka thënë dëshmitari Hasani.
Po ashtu, ai tha se gardianët nuk i ka njohur por që të burgosurit e tjerë që kanë qenë më gjatë në Burgun e Dubravës i ka njohur dhe i kanë identifikuar me emra gardianët.
“Rregulloret e burgut të Dubravës tregojnë se duhet të ulësh kokën kur hapet dera, kur hyn gardiani ose kur të thërret, dhe duhet t’i mbash duart mbrapa”, ka thënë Hasani, duke sqaruar faktin pse nuk i ka njohur gardianët.
Ndërsa, në përfundim të dhënies së dëshmisë, dëshmitari Nait Hasani ka thënë se Shoqata e të Burgosurve më 19 janar 2007 ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Qarkut në Pejë, dhe tha se i vjen mirë që sot po merr një përfundim.
Hasani theksoi se ky kallëzim penal është bërë ndaj Drejtorisë së Burgut të Dubravës, gardianëve dhe të burgosurëve serbë që kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në vrasje.
Ai tha se janë 32 të pandehur, por që në mesin e tyre nuk është edhe i akuzuari Milosavleviq pasi që nuk i kanë pasur të dhënat e tij sipas listës që e kanë poseduar.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Gavrilo Milosavleviq, avokati Nebojsha Vllaiq kërkoi që ky kallëzim penal të vendoset në shkresa të lëndës si provë.
Lidhur me këtë propozim, prokurorja Ajshe Ferati tha që të mbetet në diskrecion të gjykatës, marrë parasysh se ende nuk kanë përfunduar hetimet.
Për këtë propozim, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili tha se kur të arrijnë në fazën e administrimit të provave do ta shqyrtojnë edhe një herë këtë propozim.
Ndryshe, në këtë seancë mbrojtja e të akuzuarit nuk kishte pyetje për dëshmitarin.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2023, thuhet se Gavrilo Milosavlevq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzor ndaj të burgosurve civil shqiptarë.
Gjithnjë sipas aktakuzës në bashkëkryerje me njësit policore serbe Milosavleviq kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut të dalin 1 mijë të burgosur të vendi i quajtur “Fusha e Sportit”, me pretekstin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.
Tutje në aktakuzë thuhet se menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve ushtarakët serbë kishin gjuajtur në drejtim të të burgosurve me mitraloz, mortajë dhe armë të tjera dhe se ky operacion i vrasjes i cili kishte filluar nga 22 maj 1999 dhe kishte zgjatur deri më 24 maj 1999, ku si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarak serbë kishin shkuar thuajse çdo ditë nëpër pavijonet e Burgut të Dubravës, konkretisht në pavionin “B” dhe “C”, duke i rrahur në mënyrë mizorë dhe çnjerëzorë të burgosurit civil shqiptare.
Në aktakuzë përmend se si disa roje kishin shkuar edhe në qelinë ku ishte i vendosur edhe Ukshin Hoti, Gani Baliu, Skender Gashi, Mehmet Memqaj, dhe Shkelqim Zllanoga ku të njëjtëve u kishin fikur dritat fillimisht dhe pastaj ju kishin drejtuar me fjalët Ukshin Hotit “ Profesor sherri juaj po na ndodhin bombardimet e NATO-s”, duke e ofenduar dhe sharë gjatë gjithë kohës, sa që në një moment thuhet se roje kishin kapur për fyti Shkelqim Zllanogën ku thuajse ja kishin ndalur frymëmarrje.
Për këto veprime i akuzuari Milosavleviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsi civile”. e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje ” LP i RSFJ-së “) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.