Haxhiu i reagon Prokurorisë: Deklaratë skandaloze, në shërbim të kujt janë këta prokurorë?

E publikuar: 15/01/2025 16:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet kosovare gjatë ditës së sotme mbyllën disa komuna dhe institucione paralele të Serbisë në disa zona të Kosovës.

Në lidhje më këtë aksion ka reaguar Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ka deklaruar se nuk ka autorizuar Policinë e Kosovës për realizimin e këtij operacioni, pasi nuk kishte kërkesë zyrtare.

Për këtë deklaratë ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cilësoi këtë deklaratë si “skandaloze” dhe kritikoi Prokurorinë për mosveprim të mëparshëm kundër strukturave ilegale.

“Çfarë deklarimi skandaloz i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.  Në vend që të vepronin shumë vite më parë, dhe t’i mbyllnin zyrat e strukturave ilegale ata nga zyrat e tyre lëshojnë komunikata kundër veprimeve të ligjshme dhe të drejta të policisë. A ka kush që i kupton këta zyrtarë të shtetit që mbajnë emrin prokurorë? Në shërbim të kujt janë?”, ka shkruar Haxhiu.