Haxhiu i çon në Kushtetuese, komentet rreth Ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

E publikuar: 14/01/2025 14:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese komentet lidhur me pretendimet e sërishme të opozitës kundër Ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Haxhiu uron që Gjykatës nuk do t’i duhen sërish 16 muaj për të nxjerrë aktgjykim, raporton Klankosova.tv.

“Përpjekjet disavjeçare të opozitës për të ndaluar konceptin e konfiskimit civil në Kosovë vazhdojnë. Sot, dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese komentet lidhur me pretendimet sërishme të opozitës kundër Ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Duke qenë që për herë të dytë radhazi ky Ligj po kontestohet nga opozita në Gjykatën Kushtetuese dhe kur tashmë kemi adresuar secilën kërkesë të Gjykatës në raport me të njëjtin, urojmë që Gjykatës nuk do t’i duhen sërish 16 muaj për të nxjerrë Aktgjykim”, ka shkruar ajo.

Në fund, ministrja e ritheksoi se “ata që e kanë keqpërdorur detyrën e janë bërë milionerë nga politika, nuk do të amnistohen”.