Pavarësisht se tubimet me qytetarë i kanë nisur tash e sa javë, partitë politike sot zyrtarisht fillojnë fushatën zgjedhore.
Data e nisjes së fushatës zgjedhore ishte përcaktuar qysh verën e vitit që lëmë pas, teksa partitë politike tashmë kanë caktuar agjendat e tyre me oraret dhe lokacionet e fillimit të fushatës.
Fushata do të zgjasë nga 11 janar e deri në ditën e votimit, 9 shkurt, shkruan IndeksOnline.
Për dallim nga vitet e mëparshme, këtë vit heshtja zgjedhore fillon një minut para hapjes së qendrave të votimit dhe zgjat deri në mbylljen e tyre, në ora 19:00.
Partia Demokratike e Kosovës do të nisë fushatën nga salla “1 Tetori” në Prishtinë, me fillim nga ora 16:30.
Lidhja Demokratike e Kosovës fillon fushatën 30 minuta pas PDK-së, në ora 17:00, në “Pallatin e Rinisë” në Prishtinë.
Lëvizja Vetëvendosje fillon fushatën në Gjakovë, duke pritur simpatizantët në palestrën “Shani Nushi”, me fillim nga ora 18:00.
Ndërkaq, ditën e diel, koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët e nisin fushatën në ora 13:30, në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë.
Kujtojmë se për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1280 kandidatë që garojnë për ulësen e deputetit.
Gjatë ditës së djeshme u hap votimi për votuesit nga jashtë Kosovës, të cilët, përveç votimit me postë, do të mund të votojnë në 17 ambasada dhe 15 konsullata.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë vendit, duke bërë të ditur se 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit.
Qendrat e votimit në vend hapën në ora 07:00, dhe do të jenë në dispozicion deri në ora 19:00.