Vrasja e Enver Hadrit, Qeveria ndan 100 mijë euro për familjen e tij për mbrojtje juridike

E publikuar: 10/01/2025 12:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 mijë euro për familjen e veprimtarit të çështjes kombëtare, Enver Hadri, për mbulimin e shpenzimeve për mbrojtjen juridike, saktësisht procesin e rigjykimit për këtë rast që ka nisur dje. Hadri ishte vrarë në Belgjikë në vitin 1990.

Kryeministri Albin Kurti tha se ky rast ka rëndësi historike për Kosovën.

“Rasti në çështjen penale ndaj të akuzuarve nga Serbia për vrasjen e aktivistit të njohur Enver Hadri ka filluar dje në Gjykatën Penale në Bruksel dhe si i tillë ka rëndësi historike për vendin tonë. Për rastin e tij, drejtësia e Belgjikës tashmë ka vërtetuar se se Jugosllavia, përkatësisht Serbia me shërbimin e saj secret kanë vrarë veprimtarin tonë të çështjes kombëtare Enver Hadri, duke e dënuar të tretë të akuzuarit serbë”, deklaroi Kurti.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, propozoi shumën 100 mijë euro.

“Në këtë proces dy të akuzuarit janë serbë, të cilët akuzohen se më 1990 në Belgjikë kanë kryer vrasjen. Ndërsa i akuzuari i tretë, poashtu shtetas serb dhe ish-pjesëtar i inteligjencës jugosllave, akuzohet se si ish pjesëtar i shërbimit sekret serbo-jugosllav ka urdhëruar dy të akuzuarit tjerë për ta vrarë aktivistin Enver Hadri. Ndonëse të akuzuarit ishin shpallur fajtor, nga autoritetet belge procesi ka filluar dje dhe pra në këtë rast po trajtohet ankesa e dy të dënuarve për vrasjen e Enver Hadrit.

Ajo shtoi se janë në kontakt edhe me familjen Hadri, por edhe autoritetet belge.

“Si institucione të Republikës së Kosovës, përmes ambasadës tonë në Bruksel, jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me familjarët e aktivistit por edhe me autoritetet belge në kuptim”, tha Haxhiu.