Zyrtari i lartë amerikan, që do të vizitojë edhe Kosovën, arrin në Shqipëri

E publikuar: 08/01/2025 17:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, ka arritur në Shqipëri, duke nisur vizitën e tij në tri shtetet e Ballkanit – Shqipëri, Kosovë dhe Serbi.

Pas mbërritjes në Tiranë, Verma ka publikuar një fotografi ku tha se zbarkoi në “Shqipërinë e bukur”, ndërsa tregoi edhe për qëllimin e vizitës së tij.

“Zbarkova në Shqipërinë e bukur! I lumtur të nis vizitën time dhe të punoj me partnerët tanë për forcimin e demokracisë, sigurisë dhe mbështetjen e atyre në nevojë”.

Në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi ai do të qëndrojë nga 7 deri më 11 janar.

Departamenti amerikan i shtetit, kishte bërë të ditur se në Tiranë, ai do të diskutojë përparimin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse dhe thellimin e lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe do të falënderojë “Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj aleatëve tanë afganë”.

Në Kosovë, Departamenti i Shtetit tha se Verma do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve.

“Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme të Ukrainës dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë”.

Në Serbi, zëvendëssekretari do të theksojë “partneritetin strategjik në rritje SHBA-Serbi për energjinë dhe çështje të tjera ekonomike”.

“Ai do të ofrojë mbështetje për integrimin e Serbisë në institucionet europiane, normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin më të ngushtë dypalësh për çështjet ushtarake dhe të sigurisë”, thuhet në deklaratë.

Ai gjithashtu do të riafirmojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, derisa ndjekin qëllimin për integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal.