BE: Lajçaku deri në fund të janarit, jemi duke përzgjedhur pasuesin e tij

E publikuar: 06/01/2025 20:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Miroslav Lajçak Foto: Infosot

Miroslav Lajçak Foto: Infosot

Bashkimi Evropian ka thënë se është në proces të përzgjedhjes së pasuesit të Miroslav Lajçakut, që deri në fund të janarit do të mbajë postin e të dërguarit për dialogun Kosovë-Serbi.

“Mandati i të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, mbetet në fuqi deri në fund të janarit. Procesi i përzgjedhjes së pasuesit të tij aktualisht është duke u zhvilluar dhe ne do të ofrojmë përditësime në kohën e duhur”, thuhet në pergjigjen e BE-së për KOHËN.

Të premten (3 janar) ka skaduar afati për paraqitjen e kandidatëve nga të cilët përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, do të zgjedhë se kë do ta emërojë si përfaqësues të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndër emrat që më së shumti vazhdojnë të përmenden janë ish-ministri i Finlandës, Pekka Havisto, dhe diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen. Që të dy kanë përvojë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.