Në Kosovë konfirmohet rasti i parë i infektuar me Mpox, i njohur si lia e majmunëve

E publikuar: 27/12/2024 09:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike të Kosovës ka njoftuar se në vendin tonë është konfirmuar rasti i parë me “Mpox”, i njohur si Lia e Majmunëve.

Sipas njoftimit, me datën 26. 12. 2024 në orët e pasditës, Laboratori i Mikrobiologjisë përmes metodës RT-PCR ka konfirmuar një rast të importuar të Mpox, i njohur më parë si Lia e majmunëve.

“Rasti i gjinisë mashkullore (30 vjeç), shtetas i Republikës së Kosovës, është spitalizuar në Klinikën Infektive/QKUK me datë 24.12.2024, pas kthimit nga një shtet i Afrikës Perëndimore, me simptoma si temperaturë, ethe, ndryshimet në lëkurë, në fytyrë, në duar dhe kruarje”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se pacienti është në gjendje stabile shëndetësore.

“IKSHPK i ka gjurmuar të gjitha kontaktet e deklaruara të personit të infektuar dhe të familjarëve të tij, të cilëve u janë dhënë rekomandimet për masat e parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit”, vijon njoftimi.

IKSHPK tërheq vëmëndjen për kujdes të qytetarëve, sepse personat që preken nga Mpox zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare që zgjasin dy deri në katër javë, dhe shërohen plotësisht. Edhepse duhet vigjilencë, nuk ka vend për panik”, thuhet në njoftim.