Telashet me furnizim me rrymë, Rizvanolli takon sot përfaqësuesit e KOSTT dhe KEDS

E publikuar: 27/12/2024 08:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ditëve të fundit qytetarët e Kosovës po përballen me reduktime të shumta të energjisë elektrike.

Për këtë çështje ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot pritet të takojë përfaqësues të KOSTT dhe KEDS.

“Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli takon nesër përfaqësues të Operator Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS). Pas takimit (rreth orës 09:30) do të ketë prononcime për media para ndërtesës së KEDS.”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Ekonomisë.

Qyteti i Ferizajt, Lipjanit, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Shtimes, Istogut dhe Prizrenit, janë zonat më të afektuara nga ndërprerja e energjisë elektrike.

Ndalja e energjisë elektrike po thuhet të jetë për arsye të mbingarkesës për shkak të konsumit të lartë të energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve në këto kohë, pas motit me temperatura të ulëta.

Mungesa e energjisë ka nxitur reagime të shumta të opozitës, shoqërisë civile dhe qytetarëve.

Kurse Ministria e Ekonomisë, të mërkurën ka njoftuar se mbrëmë vonë ka mbajtur takim të përbashkët me KOSTT dhe KEDS për të trajtuar situatën e furnizimit me energji elektrike pasi që qytetarët e disa komunave të Kosovës kanë raportuar ankesa gjatë ditëve të fundit.

Ministria është arsyetuar për mungesën e energjisë elektrike duke thënë se, “zakonisht kohët e festave të fundvitit karakterizohen me rritje të madhe të konsumit të energjisë elektrike, prandaj janë kritike sa i përket sigurisë së furnizimit”.

Ministria e Ekonomisë tha se sistemi ynë elektro-energjetik është ngarkuar tej mase, duke shkaktuar vështirësi teknike në furnizim dhe duke e rrezikuar rrjetin; kësisoj, ka qenë e domosdoshme që operatorët të bëjnë shkyçje në disa vendbanime ku ngarkesa ka qenë e papërballueshme për rrjetin”

Nga kjo Ministri kanë bërë thirrje që të shfrytëzohen burimet alternative për ngrohje si druri ose peleti.