Ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës. Foto: REL
Kosova ia ka refuzuar kërkesën për vizitë ministrit serb për Informacion dhe Telekomunikacion, Dejan Ristiq.
Kjo është konfirmuar për REL nga Qëndresa Fazliu nga Zyra për komunikim në MPJD.
Nga kjo Ministri thanë se Ristiq kishte bërë kërkesë që të qëndronte në Kosovë nga 24 deri më 26 dhjetor.
Për këtë ndalesë kanë raportuar të mërkurën paradite mediat në Serbi duke u thirrur në njoftimin e kësaj ministrie.
Ndryshe Serbia ka refuzuar ta lejojë një vizitë të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në Luginën e Preshevës, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme në një komunikatë për media të mërkuren.
MPJ ka thënë se ndonëse janë ndjekur “të gjitha procedurat e parapara për vizita të tilla zyrtare të përfaqësuesve qeveritarë dhe shtetërorë të Republikës së Kosovës në Serbi sipas Marrëveshjes së Brukselit për Vizita Zyrtare”, Sveçla nuk u lejua të shkonte atje.
“Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla, më datën 23 dhe 24 dhjetor 2024 ka paralajmëruar vizitë zyrtare njëditore në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc. Në kuadër të kësaj vizite, ministri z. Sveçla kishte paraparë takime me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës (KKSH), duke filluar me përfaqësuesit e Zyrës së KKSH-së në Medvegjë, për të vazhduar në Bujanoc, në selinë e KKSH-së, si dhe më pas në Preshevë, në selinë e degës së KKSH-së për këtë komunë. Përkundër faktit që janë ndjekur të gjitha procedurat e parapara për vizita të tilla zyrtare të përfaqësuesve qeveritarë dhe shtetërorë të Republikës së Kosovës në Serbi sipas Marrëveshjes së Brukselit për Vizita Zyrtare, Qeveria e Serbisë e ka refuzuar kërkesën për lejimin e kësaj vizite. Si pretekst për refuzim janë theksuar qëndrimet dhe veprimet e ministrit Sveçla, të cilat, sipas Qeverisë së Serbisë, janë të drejtuara kundër komunitetit serb në Republikën e Kosovës si dhe kundër normalizimit, paqes dhe stabilitetit”, thuhet në komunikatë.
Ditë më parë Qeveria e Serbisë e ka refuzuar kërkesën për vizitën e planifikuar të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrullah Çeku, në Luginë vetëm një orë para realizimit të saj. /REL