Ministria e Ekonomisë: Racionalizojeni konsumin e energjisë elektrike përgjatë kësaj jave kritike

E publikuar: 25/12/2024 18:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Ekonomisë ka thënë se vështirësitë e fundit në furnizimin me energji elektrike në disa zona të Kosovës janë rezultat i mbingarkesës së sistemit elektro-energjetik e jo nga mungesa e energjisë elektrike.

Në reagimin e lëshuar nga kjo ministri thuhet se me uljen e temperaturave dhe duke qenë në prag të fundvitit, konsumi i energjisë elektrike është rritur në rajon e në disa vende evropiane.

“Aktualisht, rrjeti i shpërndarjes dhe transmisionit ka arritur kapacitetin maksimal të shfrytëzimit (mbi 1400 MW gjatë ditës dhe mbrëmjes). Kjo mbingarkesë po rrezikon stabilitetin e sistemit dhe furnizimin e disa zonave, për shkak të prishjeve që shpesh ndodhin në mot të lig ose mungesës së kapaciteteve të lira alternative për furnizim”.

“Në afat të shkurtër, këto probleme mund të adresohen vetëm duke ulur konsumin e energjisë elektrike, dhe duke sanuar problemet teknike në terren. Ekipet e KOSTT dhe KEDS po punojnë intensivisht në terren për të riparuar defektet teknike”, thuhet në reagim.

Ndër tjera, bëhet thirrje që të ketë konsum të energjisë elektrike racionalisht.

“Ndërkohë, ne dhe të gjithë akterët e sektorit të energjisë u bëjmë thirrje që të kontribuoni në sigurinë e furnizimit për vete dhe për të gjithë vendin duke racionalizuar konsumin e energjisë elektrike përgjatë kësaj jave kritike, dhe duke e zhvendosur konsumin pas mesnatës në masën që është e mundshme”.

Në shumë pjesë të vendit qindra qytetarë këto ditë kanë raportuar se kanë probleme të furnizimit me energji elektrik.