Osmani uron Krishtlindjet: Të kujdesemi për ata që presin ndihmën tonë

E publikuar: 24/12/2024 21:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Krishtlindjet.

Në ambientet e Katedralës “Nënë Tereza”, Osmani ka kujtuar karakterin e Krishtlindjeve, vuajtjet dhe flijimin e Krishtit, duke e ndërlidhur me mirësinë e shenjtë të Nënës Terezë.

“Ajo u flijua për njerëzimin, për më të varfrit e më të varfërve, dhe nga vuajtjet e tyre krijoi shëmbëlltyrën e ringjalljes së shpresës, të dashurisë për njerëzimin e të ndihmës së pakursyer për ta.

Ne sot, sipas shembullit të saj, jo vetëm urojmë njëri-tjetrin për Krishtlindje, por reflektojmë thellësisht mbi atë çka e bën këtë festë kaq të veçantë. Përtej dritave vezulluese që simbolizojnë shpresën, reflektojmë për bujarinë dhe trashëgiminë tonë.

Krishtlindja është frymëzim që na kujton të gjithëve se përballë sfidave duhet të triumfojë shpresa. Ajo na kujton se duhet t’i vlerësojmë njerëzit në jetën tonë, t’ua shprehim mirënjohjen tonë: familjes që na do pa kursim, miqve që na qëndrojnë pranë dhe bashkëkombësve me të cilët na lidh gjaku, gjuha dhe shpresa.

Sipas shembullit të Gonxhes sonë, të kujdesemi sonte e gjithnjë për ata që presin ndihmën tonë e që kanë nevojë për kujdesin tonë…” u shpreh mes të tjerash Osmani.

Ajo tha se më i bekuar është ai që jep dhuratat, sesa ai që pranon ato.