Ambasadori britanik reagon pas moscertifikimit të Listës Serbe: KQZ-ja t’i ndjekë procedurat ligjore dhe jo interesat politike”

E publikuar: 24/12/2024 11:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka reaguar ashpër rreth vendimit të djeshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për të mos e certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Ai nëpërmjet një reagimi në Facebook, ka kërkuar nga KQZ-ja të sigurohet që procesi zgjedhor të zhvillohet me integritet dhe mbi bazën e procedurave të duhura ligjore, e jo të interesave politike

“I bëj thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të sigurohet që procesi zgjedhor të zhvillohet me integritet dhe mbi bazën e procedurave të duhura ligjore dhe jo të interesave politike”, ka shkruar ai.

Ambasadori britanik ka thënë se pret gjithashtu që KQZ-ja dhe të gjitha anëtarët e saj ta marrin në konsideratë kërkesën e tij.

“Ne presim që KQZ-ja dhe të gjithë anëtarët e saj të marrin në konsideratë certifikimin e Listës Serbe sipas zbatimit gjithëpërfshirës, ​​transparent dhe të fuqishëm të rregulloreve përkatëse”.