Nga Agon Maliqi
Lista Serbe në fund do të certifikohet sepse e tillë është procedura ligjore që parandalon arbitraritet politik. Shyqyr që është e tillë sepse nesër e njëjta metodë mund të përdoret kundër partive të cilësdo etnie. Madje thirrje të tilla të rrezikshme ka pasur edhe në të shkuarën për shpalljen e LVV si antikushtetuese.
Si përfundim nga kjo manovër u arrit që:
Lista Serbe të forcohet në sytë e serbëve të Kosovës si opsioni më “patriotik” në këto zgjedhje.
Vuçiq ta gjejë edhe një argument viktimizimi në bisedat me perëndimin si dhe ta hap një temë shpërqëndruese, ndërkohë që përballet me protestat më të mëdha kundër tij.
Rusia të rifaktorizohet në rajon dhe t’i mundësohet të projektojë fuqi (shih telefonatën e parë pas një kohe të gjatë mes Vuçiq dhe Lavrov me temë qëndrore Kosovën).
Kosova të damkoset ndërkombëtarisht edhe më shumë si cënuese e të drejtave të pakicave që nuk ndjek procedura ligjore.
E gjithë kjo faturë vjen me synimin e vetëm që:
Metropolitanka e Prishtinës dhe militanti nga Osnabrücku, që adhurojnë verbërisht dhe që nuk e kanë haberin e funksionimit të gjërave, të përjetojnë delir për disa orë dhe ditë në muhabetet e kafeve dhe çajtoreve.
Popullizmi na e ka thy qafën… e tash do edhe me na hangër kryet.