Bajrami: Investimet Kapitale në nivel qendror për vitin 2024, më të ulëta se në vitin 2018

E publikuar: 21/12/2024 13:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar qeverinë për performancën e dobët në investimet kapitale, duke theksuar se shpenzimet për vitin 2024 janë më të ulëta krahasuar me vitin 2018. Ajo ka bërë të ditur se sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nga 859 milionë euro të parapara për investime kapitale, deri më 1 dhjetor janë shpenzuar vetëm 255 milionë euro nga niveli qendror dhe 189 milionë euro nga niveli lokal.

Ajo ka thënë se ky rezultat do të thotë se, në vetëm disa ditë të fundit të vitit, ka një mbetje prej 415 milionë eurosh për t’u realizuar, duke theksuar se kjo është një dështim i qeverisë në planifikimin dhe realizimin e investimeve kapitale.

Bajrami ka krahasuar gjithashtu periudhën janar-dhjetor të viteve 2018 dhe 2024 dhe ka nxjerrë përfundimin se, megjithëse kjo qeveri ka shpenzuar rreth 900 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2018, investimet kapitale të nivelit qendror janë për 65 milionë euro më të ulëta. Ajo ka theksuar se, duke marrë parasysh inflacionin që ka ndodhur gjatë këtyre viteve, gjendja është përkeqësuar edhe më tej, për të paktën 25%.

Postimi i plotë:

Nga të dhënat e Ministrisë së Financave rezulton se nga 859 milionë euro të parapara për investime kapitale për vitin 2024 deri me 1 dhjetor janë shpenzuar vetëm 255 mil. nga niveli qendror dhe 189 mil. nga niveli lokal, që dmth. kanë vetëm edhe disa ditë në dispozicion dhe janë plot 415 milionë euro mbrapa me realizimin e planit për investime kapitale.

Nga të dhënat e po kësaj ministrie (seritë kohore) krahasova periudhën 1 janar -1 dhjetor 2018 me periudhën kohore 1 janar -1 dhjetor 2024 dhe ajo çfarë tregojnë këto të dhëna është asgjë më pak se dështim: Dersia kjo qeveri ka marrë nga qytetarët dhe ka shpenzuar rreth 900 milionë euro më shumë buxhet krahasuar me vitin 2018 për periudhën kohore 1 janar -1 dhjetor 2024, investimet kapitale të nivelit qendror janë për plot 65 milionë euro me të ulëta në se ato të vitit 2018. Po sikur ta marrim në konsideratë edhe inflacionin që ka ndodhë gjatë këtyre viteve gjendja përkeqësohet edhe për se paku 25%, e që ky në fakt është realiteti. Me duhet të potencoj këtu se për dallim nga qeveria qendrore komunat kanë përformuar më mirë. Shih tabelën

Kjo qeveri per 4 vite nuk arriti të lë një shënjë pozitive në këtë vend.

Dobët, shumë dobët.