Rama: Ish-krerët e UÇK-së mbahen peng në Hagë, Kuvendi s’u ngrit asnjëherë me rezolutë për procesin e padrejtë

E publikuar: 20/12/2024 12:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pjesë e fjalimit të kryeministrit shqiptarë, Edi Rama në Kuvendin e Kosovës, ishte edhe lufta e UÇK-së dhe ish-krerët e saj që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama në fjalimin e të seancës së përbashkët përmendi edhe kontributin e Rexhep Qosjes, Ibrahim Rugovës e Hashim Thaçit për shtetndërtimin e Kosovës.

“Pa Hashim Thaçin nuk e dimë se çfarë rruge do të kishte marrë fati i Kosovës në hyrje të këtij shekulli, por çfarë ne dimë me siguri është që ato çaste vendimmarrjesh të mëdha nuk do të kishin ardhur dot ashtu siç erdhën dhe e sotmja me shumë gjasë do t’i ngjante shumë më tepër të shkuarës së sa të ardhmes pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pa Hashim Thaçin”, tha Rama.

Tutje, Rama tha se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po mbahen penga prej gati pesë vjetësh, në qelitë e një gjykate ndërkombëtare, e cila në çdo hap ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj virtytet e shtetit të së drejtës.

Rama tha s s’rri dot pa ua thënë vëllazërisht çudinë për faktin se në këtë sallë s’është ndërmarrë asnjëherë një nismë për t’iu kërkuar përmes një rezolute të mbështetur nga të gjitha forcat politike të paktën nga partitë shqiptare të gjitha vendeve financuese të asaj gjykate shqetësimin e madh mbi standardet e atij procesi.

“Sot që jemi të gjithë këtu, në Kuvendin ku u shpall dhe u fIrmos pavarësia e Kosovës, Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi mbahen penga prej gati 5 vjetësh, në qelitë e një gjykate ndërkombëtare, e cila në çdo hap ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj virtytet e shtetit të së drejtës. Ajo që unë nuk vij dot deri këtu në Prishtinë të marr fjalën dhe ta gëlltis në heshtje, në mungesë të Hashimit dhe Kadriut, është nyja e mbledhur në fyt se ai proces është një proces i parregullt ligjor. Nuk rrit dot pa ua thanë çudinë time për faktin që në këtë sallë nuk është ndërmarrë asnjëherë një nismë përmes një rezolute, për të gjitha vendet financuese të asaj gjykate, shqetësimin e madh për standardet e atij procesi. Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varura nga gjykatësit”, tha Rama.

Sipas tij “Nëse Kuvendi do e merrte nismën për t’u drejtuar shteteve financuese dhe për të ndarë dyshimin e arsyeshëm për këtë proces dhe nëse do të na kërkohej edhe ne, Partia Socialiste do të angazhohej që të njëjtën rezolutë të miratuar nga Kosova, ta miratonim në Shqipëri”.