Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Infrastrukturës Liburn Aliu dhe zyrtarë të tjerë kanë përuruar sot rrugën nacionale n2 Prishtinë-Mitrovicë, segmenti Stanovc- hyrja e Vushtrrisë.
Kryeministri tha se kjo rrugë është zgjatur aq shumë sa thuajse pavarësia e Kosovës.
“Rruga Prishtinë-Mitrovicë po bëhet. Ka nisur më 2009 që domethënë e ka pothuajse moshën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por është dashur të ndërrohet operatori ekonomik në mënyrë që të ecë puna. E falënderoj ministrin Aliu, zv./ministrin Durmishi dhe gjithë stafin e ministrisë për punën që kanë bërë. Ky segment është nënshkruar në fund të shkurtit, e për 10 muaj po e përurojmë me një gjatësi afër 5 kilometra e gjysmë. Ka ngelur edhe një pjesë tjetër shumë e rëndësishme, e që do të kushtojë rreth 15 milionë euro. Janë kryer me përpikëri me drejtësi edhe shpronësimet edhe trotuaret, edhe drenazha e gypat e kanalizimit e ujit. Prandaj ka pas shumë punë që nuk është se shihen sot, por ministria e operatorët i kanë kryer e tash e kemi vetëm asfaltin e lëmuar që ecim me shpejtësi të paparë më herët”, deklaroi Kurti.
Ai tha se bashkë rrugës ishte me një përkrahës të partisë së tij e i cili tha se është e paimagjinueshëm që rruga nga Oshlani në Prishtinë të bëhet për 35 minuta.
“Rruga Prishtinë-Mitrovicë është një rrugë që shteti ia ka pasur shumë borgj Prishtinës, Vushtrrisë e Mitrovicës e të gjithëve që kanë vonuar të vijnë në Prishtinë e nganjëherë thuajse po vinë nga Gjakova e Peja, nga rruga e parregulluar. Rrugë jo me dy korsi, por me katër”,shtoi ai.