Qeveria shqiptare vihet në lëvizje për të ndihmuar Parashqevi Simakun

E publikuar: 18/12/2024 15:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa për t’i ardhur në ndihmë këngëtares së njohur Parashqevi Simaku, e cila prej vitesh jeton në kushte të vështira në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas burimeve të Report TV, pranë Këshillit të Ministrave, koordinimi për këtë rast i është besuar ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili gjithashtu mban përgjegjësi për çështjet e diasporës.

Një ekip diplomatik dhe përfaqësuesit e konsullatës shqiptare në New York po punojnë për të siguruar dokumente identifikimi për këngëtaren, e cila aktualisht nuk disponon asnjë dokument të tillë.

Parashqevi Simaku (Foto: Eltin Ilirjani/InstaStory)

Në konsullatë është zhvilluar një takim i posaçëm me qëllim ndihmën e Simakut në dy drejtime kryesore: pajisjen e saj me një pasaportë shqiptare dhe ndërmjetësimin me autoritetet amerikane për të rifreskuar dokumentacionin e saj ose nisjen e procedurave të reja për t’i garantuar qëndrimin dhe identifikimin.

Procesi, megjithatë, ndodhet në fazë fillestare dhe suksesin e tij do ta përcaktojë vullneti i Parashqevi Simakut për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare dhe amerikane kur kjo të kërkohet.

Kjo çështje mori vëmendje të madhe publike pas publikimit të një videoje javën e kaluar nga një televizion amerikan, ku personi i shfaqur u identifikua si këngëtarja. Më 13 dhjetor, të afërmit e Simakut konfirmuan se bëhej fjalë për të, duke nxitur reagime të shumta dhe ndërhyrjen e institucioneve shqiptare.

Parashqevi Simaku, një nga ikonat më të dashura të muzikës shqiptare, është larguar nga skena prej shumë vitesh. Gjendja e saj aktuale ka prekur thellësisht publikun dhe institucionet, duke vënë në qendër të vëmendjes një përpjekje për t’i rikthyer asaj dinjitetin dhe qetësinë. Tani mbetet për t’u parë nëse përpjekjet e nisura do të sjellin rezultate konkrete për këngëtaren.