Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se prokurorët e rastit janë njoftuar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti s’mund të ishte i pranishëm sot për intervistim pranë Prokurorisë Speciale, për shkak të agjendës së tij jashtë vendit.
Në një përgjigje, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu tha se Kurti është shprehur i gatshëm që t’i mirëpres në zyrë prokurorët e rastit për ta intervistuar atë, në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët.
“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyren e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për Reporteri.net.
I pari i qeverisë, ani pse sot në ora 09:30 i duhej të paraqitej pranë Prokurorisë Speciale në cilësinë e dëshmitarit, një gjë e tillë s’ndododhi.
Prokuroria Speciale bëri të ditur se ata ishin njoftuar se Kurti ndodhej jashtë vendit, dhe paraqitja e tij ishte e pamundur.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi tha sot para gazetarëve, se ende s’është caktuar një datë e re për ftesë për intervistim ndaj Kurtit.
LEXO EDHE:
Prokuroria Speciale: Kurti ndodhet për vizitë jashtë vendit, do të ftohet sërish për të dëshmuar