Kurti në Forumin Ekonomik Kosovë-Kroaci: Dyert tona janë të hapura për investime të reja

E publikuar: 13/12/2024 20:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Kroaci, ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Kosovë – Kroaci.

Kurti tha se kjo ngjarje simbolizon përkushtimin intensiv për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimit mes të dyja vendeve.

“Kosova është një treg i rëndësishëm që po zhvillohet vazhdimisht dhe ne besojmë se së bashku me Kroacinë do të kontribuojmë në krijimin e vlerave dhe mundësive të reja për ekonominë tonë rajonale dhe globale. Si Qeveri, ne jemi të përkushtuar për të krijuar një mjedis biznesi që është i sigurt, i qëndrueshëm dhe jashtëzakonisht konkurrues.”

“Dyert tona janë gjithmonë të hapura për investime të reja ndërkaq qëllimi ynë është i qartë – ta bëjmë Kosovën një nga tregjet më tërheqëse në Evropën Juglindore. Kosova është treg për kompanitë, por në të njëjtën kohë qeveria jonë do të jetë partneri juaj.” – tha Kurti.

Kurti më tej përmendi edhe miratimin e Ligjit të ri për Investimet e Huaja, procesin e krijimit të Agjencisë për Investime dhe Eksporte e veprime të tjera.