Haradinaj premton autostradën Gjilan-Dheu i Bardhë: Edhe kjo është autostradë e Kombit sepse na lidh me Luginën

E publikuar: 11/12/2024 22:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka prezantuar kandidatët për deputet nga AAK për Gjilan, për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.

Gjatë tubimit për prezantimin e kandidatëve, Haradinaj tha se po vjen një gjeneratë e re e AAK-së për Gjilanin, duke përkujtuar se AAK ka përvojë në menaxhimin e këtij qyteti.

Haradinaj përmendi projektet e papërfunduara në qytetin e Gjilani, për të cilat tha se ishin menduar e detajuar, madje disa ishin edhe në proces të përfundimit gjatë qeverisjes së tij 2, por që nuk arritën të përfundoheshin gjatë kësaj qeverisje.

“Gjilani u harrua nga Qeveria Kurti për tërë këto vite radhaz. Projektet kapitale që i nisëm ne ndaluan, ndërsa rinia po merr rrugën e mërgimit për shkak të mungesës së perspektivës. Autostrada e Gjilanit e mbetur shkret që nga 2020, është dëshmia më e qartë e dështimit dhe paaftësisë së një qeverie që s’di të bëjë asgjë përveç propagandës.”

Duke numëruar punët që, sipas Haradinajt, do të jenë prioritet i qeverisjes së tij, ai përmendi përfundimin e autostradës Gjilan-Dheu i Bardhë përmes së cilës lidhet edhe Lugina e Preshevës.

“Unë edhe këtë e quaj autostradë e Kombit, autostradën për Gjilan me Dheun e Bardhë sepse e lidhim Luginën. Edhe kjo është autostradë e Kombit si ajo që na ka bashkuar me Shqipërinë.”

Kandidatët për deputet nga AAK për Gjilanin janë Ahmet Isufi, Nazim Gagica, Zarife Asllani dhe Kushtrim Xhemaili.

“Me ekipin tonë të fuqishëm – Ahmet Isufin, Nazim Gagicën, Zarife Asllanin dhe Kushtrim Xhemailin – jemi gati të rikthejmë madhështinë e Gjilanit dhe tërë Kosovës.” – tha Haradinaj gjatë prezantimit.

Haradinaj tha se me hyrjen në NATO do të ndryshojë edhe statusi ekonomik, duke premtuar pensione jo më pak se 500 euro.

“Asnjë pension në Kosovë nuk do të mbetet nën 500 euro, e ju e dini se pensionet tani fillojmë prej 100 euro e shkojnë me rritje graduale. Ne e kemi bërë matjen e saktë, nuk do të ketë pagë në sektorin publik nën 1000 euro. E kemi kalkuluar e dimë se ku jetojmë.”

“Programi ynë është konkret dhe transformues: Anëtarësimi direkt në NATO për siguri dhe zhvillim ekonomik, rritje të pagës mesatare në 1000€, pensione 500€, mbrojtje të prodhimit vendor, subvencione për eksportuesit, përkrahje secilën familje me “Pakonë për Mirëqenien e Familjes”. Do të investojmë në rregullimin e lumenjve, në impiantet për ujëra të zeza, në infrastrukturën moderne që Gjilani e meriton.” – theksoi Haradinaj.