Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka shpërndarë deklaratë të Ambasadorit Jeffrey Hovenier, lidhur me ndarjen e Urdhrit Presidencial “Ibrahim Rugova” nga Presidentja Vjosa Osmani.
Hovenier ka thënë se ka qenë privilegj i madh për të që të shërbejë si Ambasador i ShBA’së në Kosovë, raporton Express.
Ai tha se është i nderuar dhe mirënjohës për Urdhrin Presidencial. Gjatë ceremonicë së mbrëmshme, Hovenier u emocionua. Tha se kishte planifikuar t’i thoshte disa fjalë, se zakonisht s’mbetet pa fjalë, por se mbrëmjen e djeshme ato i kishin humbur.
“Thellësisht i nderuar dhe mirënjohës për t’u nderuar me Urdhrin Presidencial “Ibrahim Rugova” nga Presidentja Vjosa Osmani, mbrëmjen e djeshme. Ky vlerësim ka kuptim të madh për mua dhe prezanton punën e përbashkët dhe dedikimin e gjithsecilit qe ka qenë pjesë e kësaj përpjekje pët të siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe për të avancuar vizionin tonë të përbashkët për një vend sovran, demokratik dhe multietnik. Ka qenë një privilegj i madh të shërbej si ambasador i SHBA-së këtu në Kosovë”, ka deklaruar Hovenier.
Presidentja Vjosa Osmani ka publikuar një video nga ceremonia, derisa ka thënë se Hovenier “për Kosovën ishte më shumë se një Ambasador”.
“Ishte me ne kur populli i Kosovës ishte viktimë e krimeve të llahtarshme, ishte me ne kur raportonte për masakrën e Reçakut, ishte me ne kur vendosnim themelet e shtetit tonë të pavarur, e ishte me ne edhe përgjatë viteve të fundit në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe aleancës së pathyeshme me SHBA-të. Faleminderit Ambasador Hovenier!”, shkroi presidentja në Facebook.