Nacionale: “Në emër të Kurtit janë vjedhë 50 milionë për Badovcin” – Përplasje ndërmjet asamblistëve të VV-së në Prishtinë

E publikuar: 10/12/2024 18:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një video e publikuar ekskluzivisht nga gazeta Nacionale, shpërfaqi dyshimet për përfshirjen e VV-së në çështjen e pronave në Badovc.

Aty, Berat Lahu, asamblist dhe dhëndër i ministrit Liburn Aliu, thotë se “në emër të Kurtit janë vjedhë 50 milionë të pronave në Badovc”.

VIDEOJA: KËTU

Në një intervistë në Interaktiv, Lahu këtë situatë e ka quajtur inskenim.

“Ajo që ngjau sot është shfaqje e shëmtuar dhe e inskenuar nga dy persona të rëndësishëm në Vetëvendosje. Gëzim Sveçla dhe Egzon Azemi. Inskenimi ishte se Azemi duke ditur se kamerat në sallë sot ishin rreth nesh, ai thotë se nëse jam shantazhuar duhet të tregojë. Ai aludon se jam shantazhuar për çfarëdo çështje. Unë thashë se nuk shantazhohem, mua më mbrojnë qëndrimet e mia”, ka thënë Lahu.

“Shkulja e mikrofonit ishte si veprim për të krijuar asocimin kur VV-ja ka diçka të rëndësishme shkulet mikrofoni. Ky ishte aludimi, por Sveçla donte të mbulonte marren e tij për këmbimin e pronave në Badoc”, ka thënë ai.

Kur foli për Badovcin, Lahu sqaroi se çka ka dashur të thotë me vjedhjen e 50 milionëve.

“Ne kemi mundësuar kalimin e atij parimi me qëndrimin tonë në sallë, por s’e kemi votuar. Edhe në atë mbledhje kemi thënë po mundësojmë kalimin e këtij vendimi…Në bisedën (e zhvilluar sot në Kuvend v.j.) them ‘në emër të Albin Kurtit’. Gëzim Sveçla përmend Albin Kurtin që të tjerët të bindemi që të qëndrojmë aty dhe të mundësojmë kuorumin. Kjo ka sjell thyerjen time të madhe dhe humbjen absolute të besimit në këtë strukturë. VV-ja në Prishtinë e këtu s’po flas për VV-në si tërësi, por për qendrën e Prishtinës që ka degraduar në gjendje që s’po e njoh më. Për rastin të mundësimit të kuorumit për pronat, e kam të konfirmuar se kryeministri Kurti s’ka qenë në dijeni për të votuar. Kurti e kupton disa ditë më vonë nëpërmjet njoftimit se në komunë ka ndodhur këmbimi si skandaloz. Kryesia qendrore analizon rastin, e kur shohin çka ka ndodhur jepet urdhri të anulohet”, ka deklaruar asamblisti i VV-së.

“Aty u spekulua shumë…Aq shumë ka qenë insistimit i personave në fushatë për Prishtinën që ta fitojmë, ta udhëheqim sa edhe personalisht kryeministri Albin Kurti për të dhënë shembull ka thirr në telefon persona për t’u angazhuar më shumë”, u shpreh ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj shefit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, që të hënën shkuli mikrofonin e kryesuesit të Kuvendit Komunal.

“Skandali i fundit i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili zbulon pazare të brendshme, të ulëta e të turpshme, të asamblistëve të këtij subjekti në Kuvendin Komunal të Prishtinës, shpalos qartazi kriminalitetin e LVV-së dhe përbuzjen e hapur që i bën kjo lëvizje kryeqytetit dhe qytetarëve tanë, Këto praktika korruptive dhe kriminale fshihen pas fasadës së premtimeve për ‘ndryshim’ e ‘transparencë’, ndërsa në realitet reflektojnë politikë të shpërdorimit, ku përfitimet personale e partiake vendosen mbi interesat e qytetarëve. Është e papranueshme që asamblistët, të cilët paguhen me taksat e qytetarëve, të përfshihen në marrëveshje të kundërligjshme dhe të pista, që minojnë seriozisht besimin e qytetarëve në përfaqësuesit e tyre”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Përshkim të njëjtë ka bërë edhe PDK-ja, e cila ka akuzuar Përparim Ramën dhe VV-në për pazare me pronat e Badovcit./Nacionale