Policia e Kosovës ka arrestuar tetë të dyshuar dhe ka konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë të bastisjeve një ditë pas shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe komandanti i Përgjithshëm i PK-së, Gazmend Hoxha, kanë dhënë detaje rreth operacioneve në një konferencë për mediet, të mbajtur në kampin e njësive speciale “Enver Zyberi” në jug të Mitrovicës, ku dhe janë ekspozuar armatimet.
Sveçla tha se shpërthimi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i cili furnizon disa pjesë të vendit me ujë, ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që pas luftës në Kosovë më 1998-1999.
“Ky sulm terrorist nuk është sulm i rëndomtë, por i bashkërenduar nga organizatat terroriste. Synimi ka qenë që dëmi të jetë maksimal ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarët të tij”, tha ai.
Autoritetet e sigurisë së Kosovës, përfshirë Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), kanë kryer një operacion të gjerë të shtunën në 10 lokacione, u njoftua në konferencë. Sveçla e Hoxha thanë se të arrestuarit dyshohet se lidhen me organizatën e ashtuquajtur “Mbrojtja Civile”.