Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar para mediave se raportet me presidenten Vjosa Osmani janë korrekte dhe në bashkërendim edhe me kryeparlamentarin Konjufca, si dhe me ministren e jashtme Donika Gërvalla, sa i përket politikës së jashtme.
Ai këto komente i bëri i pyetur rreth deklaratës së Osmanit se “ambasadorët dhe aleatët nuk janë për të luajtur bixhoz me ta, e as për tallje”.
“Unë vazhdimisht kam qenë në komunikim dhe bashkërendim edhe me presidenten Osmani edhe kryeparlamentarin Konjufca edhe ministren e jashtme Gërvalla sa i përket politikës së jashtme. Besoj që të arriturat i kemi të përbashkëta edhe kësisoj duhet të vazhdoj. Të gjitha vështirësit, sfidat nuk ka të tilla që t’i tejkalojmë. Edhe besoj që kurrë nuk ka qenë gjendja në veriun e Kosovës më e mirë e sigurt se sa tani. Katër komunat atje ka edhe siguri ka edhe zhvillim ka edhe demokraci, jo sa do të duhej por pa krahasueshëm më mirë se sa më parë”, tha Kurti.
Ai tha se nuk ka burime të brendshme të detabilitetit potencial apo kërcënimit të sigurisë të cilat, qeveria nuk ia del që t’i menaxhoj.
“Keqbërës, ndonjë elemente terrorist, nuk është që nuk ka, mirëpo, strukturat paralele, grupet kriminale që kanë ekzistuar atje ose kanë ikur në Serbi ose janë në burg në Kosovë. Nuk kemi burime të brendshme të detabilitetit potencial apo kërcënimit të sigurisë të cilët nuk i menaxhojmë, nuk ja dalim në ballafaqim me ta. Besoj që këto janë shprehje e pafuqisë së tyre ndërkohë që janë akte kriminale e terroriste që kanë qëllim të ndjellin frikë. Mirëpo, tash në Kosovë nuk mund të ketë as individ, as grup, as strukur që është më i fuqishëm se sa shteti i pavarur i Kosovës, republika jonë demokratike e cila ngadhënjen rregullisht me fuqinë e ligjit të drejt”, tha Kurti./EO