Kthimi i Trumpit në nushtet nund ta kërcënojë stabilitetin e ballkanit: Kosova duhet të mbetet vigjilente

E publikuar: 28/11/2024 14:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Alon Ben-Meir

Ruajtja e stabilitetit në Ballkan është interes themelor strategjik i SHBA-së dhe ka qenë i qëndrueshëm në të gjithë administratat republikane dhe demokratike. Megjithatë, kthimi i Trumpit në pushtet mund të jetë potencialisht pohim për udhëheqësit nacionalistë brenda Ballkanit. Për këtë arsye, është kritike që Kosova të mbetet vigjilente, të punojë ngushtë me BE-në dhe të jetë e përgatitur për çdo ndryshim në politikën e jashtme të SHBA-së

Është pakujdesi të deklarohet me siguri absolute se çfarë politike mund të ndjekë Trumpi në lidhje me BE-në dhe shtetet e Ballkanit, pasi ai njihet për paparashikueshmërinë e tij dhe procesin e vendimmarrjes jokonvencionale. Megjithatë, disa gjëra mund të thuhen me siguri. Ai së pari do të peshojë atë që ai e percepton si interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara, megjithëse kjo nuk sugjeron që vendimi i tij përfundimtar do t’i shërbente domosdoshmërisht interesit përfundimtar kombëtar të Amerikës. Ai gjithashtu do të udhëhiqet nga kënaqësitë e tij personale, pasi ai është sipas natyrës i fiksuar pas vetes, një narcisist që beson se është i kualifikuar në mënyrë unike për të qenë presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe se vetëm ai mund t’i zgjidhë problemet dhe konfliktet që u kanë shkarë shumë prej paraardhësve të tij. Si një zhvillues i pasurive të paluajtshme, Trumpi merret me çështjet politike sikur të ishin transaksione biznesi, i udhëhequr nga një qasje me shumën zero në të cilën ai duhet të fitojë në kurriz të humbjeve të homologut të tij.

Thënë këtë, ai akoma duhet t’i përmbahet shumë normave dhe parimeve që e kanë udhëhequr politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Senati i Shteteve të Bashkuara, ku republikanët do të jenë në kontroll, nuk do të ndjekë domosdoshmërisht të gjitha objektivat e politikës së tij të dëshiruar, veçanërisht kur konsiderohet se janë kërcënime kritike për shqetësimet e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj dhe shumë detyrime ndërkombëtare.

Tendenca historike e BE-së për t’iu nënshtruar politikës së Shteteve të Bashkuara në rajon e ndërlikon këtë situatë. Nëse Uashingtoni do të adoptojë një qasje më pak ndërhyrëse, udhëheqësit evropianë mund të detyrohen të marrin një qasje më proaktive në ruajtjen e stabilitetit rajonal, gjë që mund të përkthehet në një qasje më të unifikuar ndaj sigurisë dhe ekonomisë së bllokut.

Potenciali për nacionalizëm të intensifikuar dhe paqëndrueshmërinë ekonomike për shkak të politikave proteksioniste dhe dinamikave të ndryshueshme do t’iu kërkonte udhëheqësve evropianë të rivlerësonin strategjitë e tyre. Ata duhet të përgatiten për një peizazh të ndryshueshëm gjeopolitik që kërkon autonomi më të madhe nga SHBA-ja dhe qëndrueshmëri në adresimin e lëvizjes së brendshme në rritje ndaj së djathtës dhe kërcënimeve të jashtme në veçanti nga Rusia.

Shqetësimet e sigurisë: Një nga shqetësimet kryesore është qëndrimi i paparashikueshëm i Trumpit ndaj NATO-s. Gjatë mandatit të tij të mëparshëm, Trumpi shpesh u tall me aleatët e NATO-s për mospërmbushjen e angazhimeve në fushën e mbrojtjes dhe shpenzimeve, gjë që rriti shqetësimet se ai mund të tërhiqte mbështetjen e SHBA-së nga aleanca. Një veprim i tillë mund të inkurajojë kundërshtarët si Rusia dhe t’i destabilizojë disa vende të Evropës Lindore, si Polonia, veçanërisht në dritën e luftës në vazhdim në Ukrainë. Megjithëse Trumpi nuk ka gjasa të tërhiqet nga aleanca, posaçërisht sepse demokratët dhe republikanët e kanë miratuar legjislacionin për ta parandaluar atë dhe do ta kundërshtonin çdo përpjekje të fshehtë për ta bërë këtë, megjithatë vendet anëtare të NATO-s nuk duhet ta marrin këtë si të mirëqenë.

Në lidhje me luftën në Ukrainë, Trumpi ka të ngjarë ta ndryshojë politikën duke e nxitur një zgjidhje të negociuar, e cila ngre shqetësime të rëndësishme në lidhje me implikimet për sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Trumpi ka gjasa të bëjë presion ndaj Ukrainës që të bëjë disa koncesione territoriale duke e reduktuar ndjeshëm mbështetjen ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, gjë që mund të krijojë një precedent shqetësues apo edhe të përshpejtojë konfliktin e ardhshëm.

Këto kushte gjeopolitike mbeten të rrjedhshme ndërsa administrata e ardhshme e Trumpit dhe Ukraina përgatiten për ndryshime të mundshme në strategji dhe zbatim duke çuar në inaugurimin e Trumpit. Në këtë kontekst, BE-ja mund të detyrohet t’i rishqyrtojë strategjitë e saj të mbrojtjes, të cilat, në një farë mase, do të ishin të pavarura nga Shtetet e Bashkuara.

Implikimet ekonomike për BE-në: Kërcënimi i Trumpit për të vendosur tarifa mbi importet nga Kina në Shtetet e Bashkuara prej 20 për qind mund të nxisë masa hakmarrëse dhe të përshkallëzojë në një luftë tregtare, veçanërisht me Kinën, duke çuar në paqëndrueshmëri ekonomike. Rritja e tarifave për mallrat e importuara nga BE-ja prej 10 për qind do të ndikojë seriozisht edhe në marrëdhëniet ekonomike transatlantike dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në komunitetin evropian, veçanërisht në sektorët e automobilave dhe të bujqësisë. Përveç kësaj, politika e Trumpit mund ta trazojë gjithashtu varësinë e BE-së nga komponentët kinezë. Nëse ai insiston në reduktimin e importeve të BE-së nga Kina, kjo mund t’i rrisë kostot duke e ulur konkurrencën dhe, në të njëjtën kohë, ta rrisë tensionin midis SHBA-së dhe BE-së.

Kthimi i Trump në pushtet do të ngjallte gjithashtu sfida shumështresore si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për shtetet e Ballkanit.

Implikimet ekonomike për Ballkanin: Ballkani mbështetet shumë në tregtinë me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara; andaj, vendosja e çdo tarife do të ndikojë drejtpërdrejt në ekonomitë e tyre. Për më tepër, planet e Trumpit për dëbimin e emigrantëve pa dokumente, duke përfshirë shumë prej tyre nga shtetet e Ballkanit, mund të rezultojnë në një reduktim të konsiderueshëm të transferave të parave të fituara nga punëtorët ballkanikë në SHBA, të cilët do të detyroheshin të largoheshin nga vendi. Megjithatë, duke pasur parasysh theksin e Trumpit mbi lidhjet ekonomike, do të ketë gjithashtu një fokus të rinovuar në marrëveshjet dhe partneritetet ekonomike në vend të deklaratave më të gjera për demokracinë.

Nacionalizmi dhe stabiliteti racional: Megjithatë, duhet të theksohet që në fillim, se qëndrimi themelor i SHBA-së në lidhje me Ballkanin nuk do të ndryshojë, pavarësisht se kush është presidenti. Megjithëse skepticizmi i Trumpit ndaj NATO-s mund të ndikojë në praninë ushtarake amerikane në shtetet e Ballkanit, nuk do të ketë tërheqje dramatike, edhe nëse ai dëshiron, për shkak të kundërshtimit të Kongresit. Kjo ka qenë konsistente në të gjithë administratat republikane dhe demokratike, sepse ruajtja e stabilitetit në Ballkan mbetet një interes themelor strategjik i SHBA-së që kapërcen administratat. Trumpi, në veçanti, nuk dëshiron që një zjarr i ri të bjerë në prehrin e tij.

Megjithatë, kthimi i tij, potencialisht mund të jetë pohim për liderët nacionalistë brenda Ballkanit, siç është presidenti i Serbisë Vuçiqi, për të marrë një qëndrim më të ashpër kundër Kosovës. Sidoqoftë, duhet të theksohet se Trumpi është transaksional dhe do të shtyjë për një “quid pro quo”. Ai mund të ushtrojë më shumë presion mbi Kosovën që të pajtohet, për shembull, të veprojë në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe në këmbim që Serbia të ndalojë fushatën e saj për të bindur vendet që të tërheqin njohjen e Kosovës dhe për ta bllokuar Kosovën nga anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare.

Kosova do të përballet me një rrezik të shtuar nga ndikimi i Rusisë sapo Trumpi të kthehet në pushtet. Trumpi ka gjasa të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit. Ndryshimi i mundshëm mund të ringjallë diskutimet rreth një shkëmbimi toke midis Serbisë dhe Kosovës, të cilën kjo e fundit nuk pranon as ta mendojë. Për këtë arsye, është kritike që Kosova të mbetet vigjilente, të punojë ngushtë me BE-në dhe të jetë e përgatitur për çdo ndryshim në politikën e jashtme të SHBA-së. Dhe duke e pasur parasysh tendencën e Trumpit për të admiruar burrat e fortë, nuk do të ishte befasuese nëse ai do të kërkonte një rreshtim më të përafërt me kryeministrin hungarez Viktor Orban për çështjet rajonale. Për më tepër, Trumpi mund të tërhiqte sanksionet ndaj akterëve si Millorad Dodiku në Republikën Serbe të Bosnjës, gjë që mund të destabilizojë rajonin.

Përfundimisht, kombinimi i nacionalizmit serb dhe oportunizmit rus mund të tronditë stabilitetin në rajon. Marrëdhëniet e ngrohta të Trumpit me Putinin akoma mund të nxisin interesat serbe për ta kënaqur Putinin, gjë që mund ta minojë stabilitetin në Bosnje dhe Hercegovinë. Udhëheqësit si Dodiku janë shprehur tashmë se presidenca e Trumpit do t’i lehtësojë ambiciet e tyre secesioniste, veçanërisht në lidhje me pavarësinë e Republikës Serbe nga Bosnja. Nëse i jepet një pozicion në administratë, Richard Grenelli mund ta luajë një rol të rëndësishëm në formësimin e politikës ballkanike.

Duhet theksuar se këto ndryshime potenciale politike janë spekulative dhe bazohen në politikën e Trumpit ndaj shteteve ballkanike gjatë mandatit të tij të parë dhe deklaratave të këshilltarëve të tij të rinj për politikën e jashtme. Politika aktuale e Trumpit mund të ndryshojë varësisht nga faktorët e ndryshëm dhe zhvillimet rajonale. Për më tepër, i njohur për dëshirën e tij për të arritur rezultate të shpejta, Trumpi mund të shkëputet nga rajoni nëse nuk e konsideron atë prioritet strategjik dhe potencialisht do t’ia linte BE-së. Por duke pasur parasysh mantrën e tij për Amerikën së pari, ai duhet të dijë se ruajtja e lidershipit global të SHBA-së ku mund të ushtrojë ndikim të konsiderueshëm i shërben më së miri interesit të Amerikës.

BE-ja ka qenë duke u përgatitur për një rikthim të mundshëm të Trumpit në pushtet, dhe shtetet e Ballkanit gjithashtu e kanë bërë të njëjtën gjë. Ata po përgatiten për një periudhë potencialisht të trazuar. BE-ja po fokusohet në qëndrueshmërinë ekonomike që do të përfshinte masa hakmarrëse dhe fuqizimin e marrëveshjeve tregtare me kombet e tjera. Nga ana e sigurisë, ata kanë vendosur të rrisin shpenzimet e mbrojtjes dhe të marrin një rol më të madh për t’i ndihmuar Ukrainës për ta mbrojtur veten. Ballkani po kërkon gjithashtu të kultivojë një unitet më të madh brenda komunitetit evropian duke ndërmarrë hapa për të përmirësuar integrimin e tyre me BE-në dhe për të zhvilluar lidhje të forta me institucionet e saj.

Strategjia e re e BE-së trajton shumë situata të paparashikuara që mund të lindin për të siguruar që edhe mosangazhimi më i vogël i SHBA-së nuk do ta bëjë komunitetin evropian të cenueshëm. Duke vënë në dukje të gjitha spekulimet se çfarë do të bëjë apo nuk do të bëjë Trumpi, nuk do të lindë dita e kiametit për Komunitetin Evropian nën mbikëqyrjen e tij, pasi një vetëbesim më i madh do ta ndihmojë BE-në të dalë edhe më e fortë dhe e bashkuar fuqimisht.