Bekim Haxhiu
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka treguar për ankesat që merr çdo ditë nga pacientët në QKUK, duke thënë që “propagandën dhe mashtrimin qeveritar e demanton realiteti i hidhur i gjendjes së keqe në shëndetësi”.
Haxhiu ka thënë se qytetarët detyrohen të blejnë penjë për operacion, kontrastin për CT dhe procedura invazive kardiologjike, teksa kritika ka edhe ndaj Bordit të ShSKUK-së për ankesat e puntorëve shëndetësorë, stafit mbështetës e administrativ dhe puntorëve të sigurimit.
“Me qindra probleme në shëndetësi, pakënaqësi të puntorëve shëndetësorë të cilët protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë, ashtu siç protestuan puntorët e sigurimit në ShSKUK, ndërsa Bordi Drejtues i ShSKUK-së nuk i shqyrton në mbledhjen e sotme që zgjati 15-20 minuta. Bordi zgjodhi të neglizhojë ankesat e puntorëve shëndetësorë, stafit mbështetës e administrativ dhe puntorëve të sigurimit”, ka shkruar Haxhiu.
“Për ankesat e pacientëve çdo ditë informohem nga vetë qytetarët sikurse mesazhi më poshtë ku qytetarët detyrohen të blejnë penjë për operacion, kontrastin për CT dhe procedura invazive kardiologjike. Propagandën dhe mashtrimin qeveritar e demanton realiteti i hidhur i gjendjes së keqe në shëndetësi”, u shpreh ai.