Pas raportimeve se Prokuroria po heton tenderët sekret, Bajrami thotë se 273 milionë euro kanë përfunduar te ‘dostat’

E publikuar: 23/11/2024 12:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas raportimeve se Prokuroria Speciale ka filluar hetimet për 1 mijë e 700 tenderë të lidhur me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, ka reaguar sot deputetja LDK-së, Hykmete Bajrami, raporton Ekonomia Online.

Ajo duke u thirrur në të dhënat e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, ka thënë se nga marsi i vitit 2021, kur Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet, e deri tash vetëm në nivelin qendror janë lidhur 2 mijë e 213 kontrata njëburimore.

“273 milionë euro, para këto të buxhetit të Kosovës kanë përfundu te ‘dostat’, pa asnjë procedurë prokurimi siç e kërkon Ligji, janë kry negociatat në katër sy.  Të korruptuarit kurrë nuk e luftojnë korrupsionin, se ju duhet me luftu veten. Thirrja jonë organve të drejtësisë që sa më parë të merren me këto 2173 kontrata njëburimore dhe të korruptuarit ta marrin dënimin e merituar, nuk ka përfundu në veshë të shurdhër”, ka shkruar Bajrami.