DFC, fondi shtetëror amerikan për zhvillim, investon në Gjirafa

E publikuar: 22/11/2024 21:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjirafa, kompania më inovative në teknologji dhe e-commerce në rajon, ka zyrtarizuar investimin prej 5 milionë dollarësh nga U.S. International Development Finance Corporation (DFC), si pjesë e raundit të ardhshëm të investimit të Seria C. Ky investim përfaqëson një hap të madh drejt avancimit të ekonomisë së Internetit në Ballkanin Perëndimor dhe vendos bazat për zgjerimin rajonal të Gjirafës.

Partneriteti u lansua në një ngjarje të nivelit të lartë

Ceremonia e lansimit të këtij partneriteti u mbajt në ambientet e Gjirafës, ku morën pjesë personalitete të rëndësishme duke përfshirë: Erin Elizabeth McKee, Ndihmës Administratore në Byronë për Evropë dhe Euroazi të USAID, Jeffrey M. Hovenier, Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Larry Sack, Drejtor për Zhvillim në DFC (nëpërmjet një video mesazhi), James M. Hope, Zëvendës Ndihmës Administrator i Lartë në USAID, Eileen Devitt, Drejtoreshë e Misionit të USAID në Kosovë, Mergim Cahani, Themeluesi dhe CEO i Gjirafës, si dhe përfaqësues të shumtë të bizneseve dhe të mediave.

Në fjalimin e saj Ambasadorja McKee, e cilësoi investimin si një mundësi të jashtëzakonshme për ta integruar Kosovën edhe më shumë në ekonominë globale, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi me vendet fqinje që promovojnë stabilitetin rajonal. Ajo theksoi se kjo mbështetje do të ndihmojë në rritjen e bizneseve të vogla. “Me zgjerimin e Gjirafës në Ballkan, këto biznese nuk janë vetëm. Ato do të kenë mundësinë të jenë pjesë e nje platforme të gatshme që ka një bazë të klientëve besnikë për t’u zgjeruar nga shitja lokale në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare” – deklaroi Ambasadorja McKee.

Ambasadori Hovenier, shprehu rëndësinë e këtij partneriteti duke veçuar se “ky investim është kritik për Kosovën dhe rritjen e ndërrmarrësve të cilët do të kenë një platformë për të shitur produktet e tyre në Kosovë dhe jashtë saj, duke u mbështetur në zgjerimin rajonal të Gjirafës”. Duke vlerësuar punën dhe vizionin e Gjirafës, Ambasadori Hovenier gjithashtu falenderoi z.Cahani dhe ekipin e Gjirafës për partneritetin afatgjatë dhe punën e bërë gjatë dekadës së fundit për të ndërtuar këtë kompani të suksesshme.

DFC dhe Gjirafa: Partneriteti i parë i këtij lloji në Kosovë

Larry Sacks, Drejtori për Zhvillim në DFC, e cilësoi si historik këtë partneritetit, i cili realizohet për herë të parë në Kosovë. Ai vuri në dukje se projekti do të luajë një rol thelbësor në zgjerimin e shërbimeve të Gjirafa në rajon, duke deklaruar se “mbështetja financiare nga DFC do t’i mundësojë Gjirafës të zgjerojë shërbimet e saj të e-commerce dhe medias në të gjithë Ballkanin.”

Sacks shtoi se ky bashkëpunim strategjik shërben si një gurthemel për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fuqishme mes Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës.

Një hap kyç drejt Serisë C të financimit

Themeluesi dhe CEO i Gjirafës, Mergim Cahani, në fjalimin e tij përmendi rrugëtimin dhe sfidat për të arritur në këtë moment te rëndësishëm, duke reflektuar mbi misionin e kompanisë për të ndërtuar ekonominë e Internetit ne Evropën Juglindore. Gjatë fjalimit të tij, Cahani deklaroi se “investimi prej 5 milionë dollarësh nga DFC është pjesë e objektivit tonë për raundin e ardhshëm të investimeve Seria C, duke na mundësuar të rritemi si kurrë më parë.”

Duke reflektuar mbi rëndësinë e këtij investimi, Cahani gjithashtu ndau pritshmëritë konkrete për ndikimin afatgjatë të partneritetit. “Me këtë investim, synojmë të përfshijmë mijëra biznese në rajon, t’i digjitalizojmë ato dhe të hapim tregje të reja për rritje, të krijojmë qindra vende të reja pune dhe të lehtësojmë transaksione ndërkufitare” – u shpreh Cahani.

Në mbyllje te fjalimit Cahani shprehu mirënjohje ndaj partnereve duke theksuar që së bashku nuk po ndërtojnë vetëm një kompani, por po formësojnë të ardhmen e rajonit. Ai nënvizoi përpjekjet e përbashkëta për të shfrytëzuar potencialin e e-commerce, me qëllim nxitjen e rritjes ekonomike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në Kosovë dhe për miliona njerëz në të gjithë Evropën Juglindore.