Kurti tha se shqipja nuk është gjuhë zyrtare në RMV, Osmani e qorton: Skandaloze dhe e pafalshme

E publikuar: 18/11/2024 18:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurtit për gjuhën shqipe në Maqedoni të Veriut.

Osmani thotë se është “skandaloz, i dëmshëm dhe i pabazuar në fakte…inkurajimi që zoti Kurti i dha Gjykatës Kushtetuese [së Maqedonisë së Veriut] është i pafalshëm”.

“Jo, nuk po rrezikohet”, tha prerazi Kurti, pyetur për këtë shqetësim tashmë të ngurtësuar në diskursin publik; ndërsa tha se në Maqedoni të Veriut “nuk ka ligj për gjuhën shqipe por, për gjuhët”.

“Ekziston ligji që përmend shifërn 20%, por ai nuk është ligj për shqipen, por përdorimin e gjuhëve. Në anën tjetër, besoj që duhet të gjithë të presim për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese atje, i cili nuk bën as përjashtime dhe as diskriminim dhe i cili e respekton shumëgjuhësinë atje”, tha Kurti.

Enkapsulimin mohues Kurti e dha kështu: “Në Repbulikën e Maqedonisë së Veriut nuk mund të thuhet se shqipja ka qenë gjuhë zyrtare e tash po u rrezikohet”.

Për ish-kryediplomatin shqiptar në Maqedoni të Veriut, ajo çfarë ka bërë Kurti në këto deklarime është “inkurajum i Gjykatës Kushtetuese” për të shfuqizuar nene të Ligjit mbi Përdorim e Gjuhëve.

E kjo, tha Osmani, “është e pafalshme”.

“Vlerësimi ishte skandaloz, i dëmshëm dhe i pabazuar në fakte. Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe e garantuar me Kushtetutë dhe ligj. Ky ligj u miratua 15 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, pasi ishte një nga pikat më të kontestuara dhe të vështira të marrëveshjes”, tha Osmani në një përgjigje me shkrim për Nacionale.

“Pala maqedonase kishte vlerësuar se gjuha shqipe duhej të ishte zyrtare vetëm në komuna, ndërsa pala shqiptare kishte këmbëngulur që gjuha shqipe të ishte zyrtare në nivel shtetëror. Sot, me miratimin e ligjit, është e qartë se ky është ligji që përcakton përdorimin e gjuhës shqipe (…)”

“(…) nga vula e Presidentit të shtetit deri te çdo dokument shtetëror dhe publik, të cilat janë në dy gjuhë. Anulimi, madje edhe i një presjeje të këtij ligji, do ta bënte atë të pavlefshëm”, na tha Bujar Osmani.

“Inkurajimi që zoti Kurti i dha Gjykatës Kushtetuese për të abroguar nene të këtij ligji është i pafalshëm. Prekja e gjuhës shqipe është gozhda e fundit në arkivolin e Marrëveshjes së Ohrit”, përfundoi Bujar Osmani.

Për të demantuar Kurtin se “nuk ka ligj të gjuhës shqipe” dhe “nuk ka gjuhë zyrtare shqipe” në rend të parë, Osmani na referon në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve ku tekstualisht shkruhet e kundërta.

“Gjuhë tjetër që flasin së paku 20 e qytetarëve (gjuha shqipe) gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj”, thuhet në Nenin 1, pika 2.