Nga Avni Jashari
Nata e sotme e futbollit ndërmjet Kosovës dhe Rumanisë nuk është vetëm një garë sportive, por edhe një përplasje narrativesh historike dhe identitare. Përtej fushës së gjelbër, tensionet u rritën kur një grup tifozësh rumunë përdorën thirrje raciste si “Kosova është Serbi,” duke shpërfaqur jo vetëm qëndrime politike të gabueshme, por edhe një mungesë respekti për realitetet historike dhe aktuale.
Mesazhi i tyre ngre pyetje të thella për vetëdijen historike të Rumanisë, një vend që, për ironi, ka rrënjë të forta te lashtësia dako-dardane. Dardanët, të cilët ishin pjesë e familjes së madhe ilire, ndajnë lidhje kulturore dhe historike me Dakët – paraardhësit e rumunëve. Këto popullsi të lashta kishin marrëdhënie të ngushta, jo vetëm si fqinjë, por edhe si aleatë në luftën për ekzistencë në një Ballkan të trazuar.
Përkundër këtij fakti historik, Rumania vazhdon të hezitojë në njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke i qëndruar një qëndrimi diplomatik që bie ndesh me realitetin e rajonit. Ky hezitim duket edhe më paradoksal kur mendohet se Rumania është një vend që vetë ka përjetuar sfida të mëdha në rrugën e saj drejt sovranitetit dhe identitetit kombëtar.
Tifozët kosovarë dhe shqiptarë, në anën tjetër, duhet rikujtojnë me krenari se Dardanët janë ndër popujt themelues të identitetit shqiptar. Në këtë frymë, ata duhet të krijojnë afishe ku i bëjnë thirrje popullit rumun që të reflektojë mbi rrënjët e përbashkëta dhe të përqafojë drejtësinë historike, duke njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Lufta përballë paragjykimeve dhe manipulimeve historike është e gjatë, por mbrëmja e sotme në stadium është dëshmi e qartë se sporti shpesh bëhet një arenë ku identitetet dhe të vërtetat historike kërkojnë të dëgjohen. Të kujtojmë se fusha e futbollit duhet të jetë një hapësirë bashkimi, jo përçarjeje, dhe një mundësi për të ndërtuar ura midis popujve, jo për t’i shembur ato.
A.J